Infektologu: Rreth 200 mijë persona mund të jenë infektuar me Covid-19 në Kosovë

Infektologu: Rreth 200 mijë persona mund të…

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se në Kosovë mund të jenë rreth 200 mijë njerëz që kanë qenë të infektuar me COVID-19.

“150 pacientë ku prej tyre janë 50 në oksigjenoterapi dhe katër ose pesë të ventiluar nuk është problem i madh për një shtet. As 2,000 pacientë nuk janë problem. Duhet ta dimë që në Kosovë janë ndoshta 200 mijë njerëz që e kanë kaluar COVID-19”, tha Tolaj.

Ai ka thënë se ka shumë pacientë asimptomatikë që e kanë kaluar koronavirusin ashtu si edhe të tillë që e kanë kaluar atë me një ose dy ditë temperaturë.

Prandaj, sipas tij, edhe kjo shifër dallon shumë nga shifra zyrtare e personave të infektuar në Kosovë.

“Para një muaji kam thënë që në Kosovë janë 100 mijë raste, derisa me rritjen e rasteve tani me siguri që kemi 200 mijë raste sipas një përllogaritje të thjeshtë ku në çdo rast të identifikuar janë së paku 40 të tjerë të paidentifikuar.

Edhe masat duhet të jenë konform kësaj – ne duhet ta përgatisim popullin me faktin që virusi ekziston dhe është vrasës. Ata që janë më të rrezikuar duhet të mbrohen më shumë, veprimtaritë ekonomike duhet që mos ta shikojnë vetëm profitin e tyre, por edhe ta mbrojnë popullatën duke respektuar këto masa. Institucionet shëndetësore përgjegjësë duhet të jenë shumë më proaktive”,tha ai.

Tolaj ka sqaruar se Kosova nuk është duke e kaluar valën e dytë të infektimeve me COVID-19.

/GazetaAtdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit