Infermierja e re tronditet nga spitali i Peshkopisë: Era kërmë, pavijoni i infektivit vatër infeksioni

Infermierja e re tronditet nga spitali i…

Një vajzë e sapodiplomuar në Infermieri të Përgjithshme ka bërë një denoncim real për gjendjen katastrofë të Spitalit Rajonal të Peshkopisë, konkretisht në pavijonin e infektivit, aty ku, sipas logjikës më elementare  higjiena duhet të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm. Në mesazhin e saj drejtuar redaksisë së JOQ, ajo tregon se si në vend që të kurohen, pacientët në atë spital rrezikojnë të preken me dhjetëra infeksione të tjera. Ajo shkruan se në tualetet e spitalit vjen era kërmë, tenxheret mbahen në korridore dhe enët për pacientët pastrohen në ambiente të ndotura.

Sipas saj, përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, që vetë punojnë në kushte çnjerëzore, mungesa e kontrollit, neglizhenca e institucioneve dhe injorimi total nga Ministria e Shëndetësisë i ka kthyer pavijonet e spitalit në kërcënim për jetën. E reja që dërguar të ëmën në këtë spital, shprehet se vetëm pas paralajmërimit se kishte filmuar gjithçka për ta denoncuar publikisht, stafi filloi të vraponte për pastrime, gjë që sipas saj tregon se vetëm frika i mban në punë. Ajo shtron me të drejtë pyetjen: “Ku janë institucionet? Ku është kontrolli? Kush mban përgjegjësi për këtë katastrofë spitalore?”

Dhe në fakt si një e re e sapo diplomuar në Infermieri që është përballur me spitalin ku nesër pasnesër mund edhe të punojë, kërkon disa përgjigja konkrete nga Ministria e Shëndetësisë e cila paguhet nga taksat tona për të vendosur shërbim cilësor në spitale, por realiteti është i dhimbshëm. Ky denoncim vjen në një kohë kur Ministria e Shëndetësisë ka kaluar së fundmi në duart e Evis Salës, e cila në prezantimin e saj u shpreh “Çdo gjë është e mundur, derisa bëhet e pamundur”, duke treguar që në fillim që shëndetësia me atë në krye do të degradojë dhe më tej.

Sala zëvendëson Albana Koçiun e cila gjatë postit të saj në krye të kësaj ministrie të rëndësishme, nuk bëri asnjë zhvillim, përpos propagandë të serviruar me mjeshtëri që  një pjesë  e mirë e popullit shqiptar e hëngri si ‘sapun në vend të djathit’. Problematikat rrënjësore në spitale si ai i Dibrës vazhdojnë të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Qeveria e Edi Ramës duhet t’i japë fund fasadave dhe propagandës dhe të zbresë me këmbë në tokë në realitet.

Pas largimit nga detyra të ish-drejtoreshës së Spitalit të Dibrës, Irini Shehu e cila dhunoi shefin e Financës, në krye të këtij institucioni është emëruar Ruzhdi Deda i cili duhet të reagojë. Njerëzit po vuajnë, pacientët po marrin infeksione në vend që të shërohen, dhe rinia e diplomuar largohet nga vendi sepse has realitete të tilla të padenja për një shtet që pretendon të jetë europian. Ky nuk është më një problem vetëm shëndetësor, por një emergjencë njerëzore.

Denoncimi i një vajzë të diplomuar në Infermieri të Përgjithshme që ka dërguar mamanë në spitalin e Peshkopisë:

Përshëndetje JOQ! Dua të ndaj me ju një video skandaloze në Spitalin Rajonal të Peshkopisë. Kisha mamin të shtruar në repartin e infektivit dhe jam tronditur kur kam parë ato kushte, atë infeksion që qarkullonte aty, dhe ta mendosh që është pavioni i infektivit, aty ku higjiena duhet të jetë 10000% e njëjtë me atë të sallave të operacioneve, se nga vetë logjika “Pavijoni i infektivit”. Aty vetëm shërim që nuk merrje, po merrje edhe 100 infeksione të tjera. E kuptoj që nuk i kanë kushtet, e kuptoj që nuk kanë faj stafi si infermierë dhe mjekë, sepse ata nuk do e ndërtojnë spitalin, ata punojnë dhe vetë në ato kushte skandaloze, por të lësh enët që ushqehen pacientët mëngjes, drekë, darkë, t’i lash në tualet dhe t’i lësh aty me ato pjata dhe lugë, t’u hedhësh ushqimin, unë nuk kisha parë në asnjë vend të botës, të betohem. Në një tualet ku vinte era kërmë. Nuk hapje dot derën e dhomës se vdisje nga era e tualetit. Me tenxheret e ushqimit që rrinin nëpër korridore. Nuk e kuptoj këtë gjë. Se çdo spital ka një mensë që i mban të gjitha këto gjëra, unë nuk e di se çfarë ligji është ky, kush i lejon këta përgjegjës t’i bëjnë këto gjëra, ta lënë ushqimin nëpër korridore dhe tualete, ku janë të gjitha mbetjet spitalore dhe mbeturina të tjera. Si mundet që në një spital siç është spitali i Dibrës të ndodhin këto gjëra? Nuk e di a ka kontroll që merret me këto gjëra? A ka një përgjegjës që duhet të merret me këtë gjë? Mbi të gjitha është diçka njerëzore. Vetë ata si staf, pse nuk e ngrenë zërin për diçka të tillë? Si mundet t’ua bëjnë këtë gjë njerëzve që aty shkojnë për hall, nuk shkon kush për pushime. Unë nuk di ç’të them se çfarë po ndodh në këtë vend. Nuk ke më besim as në spitale. Ke frikë të shkosh të gjesh shërim se nuk e di se çfarë infeksioni merr aty. Unë jam shumë e dëshpëruar për këtë gjë, të betohem, sapo jam diplomuar në Infermieri të Përgjithshme dhe, kur kam parë këtë gjendje aty, jam tronditur. Në momentin që kam kontaktuar me stafin e infermierëve për këtë gjë, pasi që erdhën të sillnin ushqimin, u thashë: stop. Si i jepni ushqim mamit tim kur unë kam parë këtë gjë? Dhe në momentin që ju kam thënë që unë e kam filmuar të gjithë gjendjen këtu dhe ju kam thënë që do ta postoj në rrjete sociale, filluan të viktimizohen dhe filluan t’i bëjnë të gjithë pastrimet. Aty kuptova se vetëm frika i mbante në punë, se përndryshe janë në gjendje të bëjnë çdo gjë tjetër dhe demek ato kanë bërë dhe BETIMIN E HIPOKRATIT. Do ju lutesha që ta postonit që të jem një zë për të tjerët dhe për ata të rinj që po shkollohen në këtë drejtim. Ju lutem, përpara se të jemi mjekë, infermierë, specialistë, le të jemi njerëz. Sepse përballë një shtrati spitali, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është diploma, por zemra. Nuk janë notat, por ngrohtësia. Nuk është betimi, por veprimi. Të sëmurët nuk kanë nevojë vetëm për kura, por për mbështetje, për një fjalë të mirë, për dikë që i sheh si njerëz, jo si raste. Le të mos harrojmë kurrë: Një ditë do të jemi edhe ne në vendin e tyre, të dobët, të pafuqishëm, të varur nga duart e dikujt tjetër. A do donim të na shihnin si një detyrë, apo si një jetë që vlen? A do donim të na flisnin me shpërfillje, apo të na jepnin shpresë? Zgjidhni të jeni shpresa e tyre. Zgjidhni të jeni ajo dritë që nuk shuhet edhe kur sistemi errësohet. Zgjidhni të jeni realiteti i tyre më i mirë. Jo vetëm me betime, por me njerzillëk.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit