Insekti i rrezikshëm bën kërdinë në Maliq, shteti me zgjidhje gjeniale: "Spërkatni arat me dronë"

Insekti i rrezikshëm bën kërdinë në Maliq,…

Fermerët e fshatit Drithas në Maliq po përballen me një situatë katastrofike këtë sezon, pasi dhjetëra hektarë të mbjellë me misër janë pushtuar nga një dëmtues i rrezikshëm i njohur si “Diabrotica Virgifera” (rrënjëngrënësi). Sipas të dhënave, insekti ka prekur rreth 50 hektarë tokë bujqësore, duke shkaktuar dëme që llogariten nga 30% deri në mbi 70% të prodhimit.

Fermerët tregojnë se infeksioni masiv erdhi si pasojë e përmbytjeve të mëparshme, të cilat lanë pas shumë lagështirë në fusha. Për shkak të kohës së shkurtër, toka nuk arriti të thahej e të merrte diellin e mjaftueshëm para mbjelljes. Sot, larvat e këtij krimbi kanë ngrënë plotësisht rrënjët e bimës, duke bërë që misri të thahet e të bjerë në tokë pa arritur të formojë as kallirin.

Petrit Ymeri, një fermer që ka kultivuar 9 hektarë misër, thotë se ka shpenzuar rreth 1.4 milionë lekë që tashmë i kanë shkuar plotësisht dëm. Njësoj si ai, edhe 77-vjeçarja Bike Ymeri, e cila mban familjen me 17 dynymët e saj të mbjellë, shprehet e dëshpëruar se këtë vit nuk do të vjelë asgjë. Specialistët e bujqësisë kanë shkuar në terren, kanë parë dëmin, kanë ngritur supet dhe… nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje konkrete.

E megjithatë, gjenialiteti i zyrtarëve tanë nuk zhgënjen kurrë. Ndërsa fermerët shohin të thara produktet me të cilat mbajnë frymën e familjes, zyrtarët e Bashkisë Maliq kanë menduar një zgjidhje moderne, thuajse “futuriste” për t’i ardhur në ndihmë bujqësisë: Spërkatjen e arave me dronë teknologjikë!

Por mos u gëzoni para kohe. Ky sugjerim “shkencor” ka një kleçkë të vogël: shteti nuk e ofron këtë shërbim. Ministria dhe strukturat e saj thjesht u sugjerojnë fermerëve të gjejnë kompani private dhe të paguajnë rreth 650 lekë për dynym nga xhepi i tyre. Pra, pasi ke humbur miliona lekë nga përmbytjet dhe insektet, pasi shteti të ka lënë në baltë me kanalet kulluese, zgjidhja që të ofrohet është të bëhesh vetë “pilot” i bizneseve private të spërkatjes fluturuese. Nëse nuk ke para për të paguar dronët e luksit, thjesht ulu dhe shiko se si insektet bëjnë festë mbi mundin tënd.

Bujqësia shqiptare me sa duket ka kaluar në epokën digjitale: shteti bën sehir nga zyrat, insektet hanë nëpër ara, ndërsa fermerëve u mbetet vetëm të shohin qiellin, me shpresën se mos ndonjë dron privat u bën mëshirë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit