INSTAT: Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri

INSTAT: Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor…

Sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut vijojnë të jenë shkaku kryesor i humbjes së jetës në Shqipëri. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT për vitin 2025, kjo kategori përbënte 42.2% të të gjitha vdekjeve të regjistruara në vend. Krahasuar me një vit më parë, pesha e tyre është rritur, pasi në vitin 2024 përfaqësonin 39% të vdekjeve natyrale.

Në vend të dytë renditen sëmundjet tumorale, të cilat shkaktuan 15.2% të vdekjeve edhe gjatë vitit 2025, duke mbetur në të njëjtin nivel me vitin pararendës. Të dhënat tregojnë se tumoret e aparatit tretës janë më të përhapurit, ndërsa meshkujt preken më shumë se femrat.

Raporti evidenton gjithashtu një rritje të viktimave nga aksidentet. Në vitin 2025, aksidentet përbënin 2.2% të totalit të vdekjeve, nga 1.9% që ishte kjo shifër një vit më parë.

Statistikat nxjerrin në pah edhe dallime të qarta sipas grupmoshave. Tek fëmijët, shkaku kryesor i vdekjeve mbeten komplikacionet e lidhura me lindjen. Në grupmoshat e reja dominojnë dëmtimet fizike dhe helmimet, ndërsa tek të moshuarit sëmundjet janë përgjegjëse për pothuajse tri të katërtat e vdekjeve, ose 72.9% të rasteve.

Sipas INSTAT, gratë vijojnë të kenë jetëgjatësi më të lartë se burrat, ndërsa vdekjet e lidhura me pleqërinë janë më të shpeshta tek ato. Në total, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan 21.394 vdekje, një rënie me 3.2% krahasuar me vitin 2024.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit