Ndërsa flitet çdo ditë për modernizim dhe shërbime digjitale, për personat me aftësi të kufizuara marrja e një shërbimi bazë në dyert e shtetit mbetet një sfidë e vërtetë. Denoncimi i fundit nga një qytetar nxjerr në pah një problem serioz: mungesën e kushteve minimale në dy nga institucionet më të rëndësishme në vend, Hipotekën dhe AKSHI-n.
Sipas qytetarit, në godinat e këtyre dy institucioneve nuk ka rampa kalimi për personat që lëvizin me karrocë.
Mungesa e hyrjeve bazë dhe braktisja e qytetarëve
Të shkosh sot te dyert e Hipotekës apo te AKSHI për të zgjidhur një hall ose për të marrë një dokument, për një person me lëvizshmëri të kufizuar është pothuajse e pamundur.
-
Sfidë në hyrje: Për shkak të mungesës së rampave, këta qytetarë detyrohen të presin jashtë ose të varen nga ndihma e kalimtarëve të rastit për t’i ngritur peshë.
-
Shkelje e të drejtave: Aksesi në godinat publike është një e drejtë ligjore dhe elementare, e cila po u mohohet çdo ditë personave me aftësi të kufizuara.
Miliona euro tenderë, por zero investim për dinjitetin e njerëzve
Ajo që e bën këtë situatë edhe më skandaloze është kontrasti me buxhetet e këtyre institucioneve.
AKSHI njihet si institucioni që menaxhon tenderë me vlera miliona euro për teknologjinë, ndërsa Hipoteka xhiron shuma të mëdha nga pagesat e qytetarëve. Megjithatë, asnjëra nga këto godina nuk ka gjetur fondin minimal për të vendosur një rampë të thjeshtë metalike apo betoni te dera kryesore.
A mund të flasim për shërbime moderne e bashkëkohore kur një qytetar me karrocë nuk hyn dot te dera e institucionit? Vendosja e rampave në çdo ambient publik nuk është ndihmë apo bamirësi, por një detyrim ligjor dhe moral që duhet të zgjidhet pa asnjë vonesë.