Investigimi i “Mail on Sunday”!  Postimet në Tik Tok “fundosin” bosin shqiptar të trafikut të emigrantëve

Investigimi i “Mail on Sunday”!  Postimet në…

Një shqiptar, i dëbuar më parë nga Britania e Madhe për trafikim të qenieve njerëzore, është rikthyer sërish në mënyrë ilegale. Mail on Sunday raporton se bëhet fjalë për Alekt Dautin, i cili dikur drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafikimin e emigrantëve nga Belgjika drejt Britanisë.

“Bosi i dëbuar i një rrjeti të trafikut të qenieve njerëzore i cili vuajti gjysmën e dënimit është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar,” shkruan Mail on Sunday, duke theksuar sesi Dauti sfidoi sistemin kufitar britanik.

Ai u arrestua në vitin 2018 në apartamentin e tij në juglindje të Londrës dhe u ekstradua në Belgjikë, ku u dënua me 10 vite burg për trafikim njerëzish. Emigrantët e trafikuar prej Dautit paguanin 13.000 paund për një vend në pjesën e parme të kamionit dhe 8.000 për pjesën e pasme.

Pas lirimit nga burgu, Dauti është shfaqur sërish në Britani, duke publikuar foto dhe video në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok. Në to, ai shihej duke drejtuar një makinë në rrugët e Londrës. Disa ditë më vonë postimet që e dekonspiruan futjen e tij ilegale në Angli, ku kishte bashkëshorten dhe fëmijët, u fshinë.

I kontaktuar nga Mail on Sunday, Dauti ka mohuar se është futur ilegalisht. “Kam dokumente të rregullta dhe jetoj këtu që nga qershori i vitit të kaluar,” është shprehur ai, duke pretenduar se kishte udhëtuar drejt Britanisë përmes aeroportit të Lutonit.

Megjithatë, zyrtarët e Home Office janë shprehur se nuk kanë asnjë të dhënë për hyrjen e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit