Investim i Bashkisë Kukës, rruga e Shishtavecit prishet pa u inaguruar

Investim i Bashkisë Kukës, rruga e Shishtavecit…

Banorët e Njësisë Administrative Shishtavec, Bashkia Kukës, i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një abuzim që po ndodh me fondet publike dhe zbatimin skandaloz të një projekti rrugor në zonë.

Sipas qytetarëve, punimet po kryhen nga kompania Denolt sh.p.k., por pa respektuar asnjë standard teknik. Rruga që pritej të lehtësonte jetën e banorëve, po ndërtohet pa asnjë standard dhe ka shfaqur probleme që pa përfunduar mirë.

Po realizohet një segment rrugor në këtë zonë nga firma Denolt sh.p.k., por punimet po kryhen pa asnjë standard teknik dhe në mënyrë skandaloze. Rruga po ndërtohet pa shtresa të duhura, pa nivelime teknike, me mjete të pamjaftueshme dhe pa kontroll teknik, thjesht për “sy e faqe” dhe për të mbyllur tenderin në letra,” shprehen denoncuesit.

Banorët tregojnë se e kanë ngritur shqetësimin e tyre pranë Bashkisë Kukës, Prefekturës dhe ARRSH-së, por deri tani nuk ka patur asnjë reagim apo inspektim në vendngjarje.

Ne si banorë kemi informuar Bashkinë Kukës, Prefekturën dhe ARRSH, por asnjë institucion nuk ka reaguar deri tani. Ju lutem bëjeni publik këtë shqetësim sepse është abuzim i hapur me lekët e popullit dhe dëmton komunitetin tonë në mënyrë të drejtpërdrejtë,” thuhet më tej në denoncim.

Pamjet e rrugës janë të qarta dhe nuk kanë nevojë për koment. Banorët kërkojnë transparencë për tenderin e kësaj rruge dhe kryerjen e punimeve cilësore. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve ligjore që të mos i mbyllin sytë përballë këtij abuzimi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit