Irani e pranon: Impiantet tona bërthamore janë bombarduar nga ‘armiku’

Irani e pranon: Impiantet tona bërthamore janë…

Zyrtarë rajonalë në Iran kanë konfirmuar se disa nga impiantet më të rëndësishme bërthamore të vendit janë goditur nga sulme ajrore, sipas mediave shtetërore iraniane Fars dhe IRNA.

Sipas një zëdhënësi të qendrës së menaxhimit të krizave në provincën e Qom-it, “pas aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe identifikimit të objektivave armiqësore, një pjesë e zonës së impiantit bërthamor në Fordow u sulmua nga forcat ajrore të armikut”.

Impianti i Fordow-it, i ndodhur thellë në malet veriore të Iranit, është një objekt me siguri të lartë dhe përmban centrifuga të avancuara për pasurimin e uraniumit në nivele të larta. Ekspertët e kanë vlerësuar më parë se vetëm armë të avancuara të tipit “bunker-buster” do të mund të depërtonin thellësinë ku ndodhet ky objekt.

Zëvendësguvernatori për çështjet e sigurisë në provincën e Isfahan-it konfirmoi gjithashtu se edhe impiantet bërthamore në Isfahan dhe Natanz janë goditur. “Pamë depërtime pranë impianteve në Isfahan dhe Natanz. Mbrojtja ajrore u aktivizua për të përballuar objektivat armiqësore, por u dëgjuan disa shpërthime”, deklaroi ai.

Sipas burimeve iraniane, impiantet ishin evakuuar paraprakisht, çka ngre pikëpyetje mbi natyrën dhe burimin e informacionit që parapriu sulmin.

Deri më tani, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ndonjë shtet që të ketë marrë përgjegjësinë për sulmet, ndërsa autoritetet iraniane po hetojnë përmasat e dëmit dhe përgjegjësit e mundshëm.

Situata mbetet e tensionuar, me mundësi për përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit