Irani lëshon tre satelitë në orbitë në mes të konlikteve në Lindjen e Mesme

Irani lëshon tre satelitë në orbitë në…

Irani ka lëshuar njëkohësisht tre satelitë në orbitë më në mëngjesin e së dielës. Ky njoftim vjen pothuajse një javë pasi prezantimi i një sateliti kërkimor nga Garda Revolucionare e Iranit nxiti kritika nga Perëndimi.

Satelitët u transportuan nga transportuesi satelitor me dy faza Simorgh (Phoenix) dhe u lëshuan në një orbitë minimale prej 450 kilometrash. Sateliti Mahda, i cili peshon rreth 32 kilogramë dhe është zhvilluar nga Agjencia Hapësinore e Iranit, është projektuar për të testuar nënsistemet e avancuara satelitore.

Dy satelitët e tjerë Kayhan 2 dhe Hatef peshojnë nën 10 kilogramë secili dhe synojnë të testojnë teknologjinë e pozicionimit të bazuar në hapësirë dhe komunikimin.

Javën e kaluar, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dërgoi në hapësirë satelitin kërkimor Soraya.

Britania, Franca dhe Gjermania e dënuan lëshimin e satelitëve nga ana e Iranit por Irani ka lëshuar një deklaratë ku e ka konsideruar këtë gjë si ndërhyrje në punët e brendshme dhe tentativë për të penguar kërkimet shkencore.

Qeveritë perëndimore bashkë me Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Iranin kundër lëshimeve të tilla duke thënë se e njëjta teknologji mund të përdoret për raketat balistike duke përfshirë ato të dizajnuara për kokat bërthamore.

Irani është kundërpërgjigjur se nuk po kërkon armë bërthamore dhe se lëshimet e tij satelitore dhe raketash janë vetëm për qëllime civile dhe mbrojtëse.

Teherani ka qenë nën sanksione nga SHBA që nga tërheqja e Washingtonit në vitin 2018 nga një marrëveshje bërthamore historike nga e cila Irani pati lehtësim sanksionesh në këmbim të frenimit të aktiviteteve të tij bërthamore.

Irani gjithmonë ka mohuar çdo ambicie për të zhvilluar aftësinë e armëve bërthamore, duke këmbëngulur se aktivitetet e tij janë tërësisht paqësore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit