Irani nis ceremonitë mortore për Ali Khamenei, mungon i biri!

Irani nis ceremonitë mortore për Ali Khamenei,…

Irani ka nisur një javë ceremonish mortore për Ajatollahun Ali Khamenei, i cili, sipas raportimeve, humbi jetën në ditën e parë të sulmeve amerikano-izraelite në fillim të luftës. Mijëra qytetarë u mblodhën në oborrin e Xhamisë së Madhe të Teheranit për t’i bërë homazhe, duke mbajtur flamuj të kuq, simbol i thirrjeve për hakmarrje, ndërsa brohoritën slogane si “Vdekje Amerikës” dhe “Hakmarrje, hakmarrje”. Ceremonia shënon nisjen e një programi shumëditor të organizuar nga autoritetet iraniane për nder të ish-udhëheqësit suprem dhe disa anëtarëve të familjes së tij.

Sipas autoriteteve iraniane, pas ceremonisë së parë dhe lutjeve fetare, funerali do të zhvillohet më 6 korrik. Më 7 korrik do të mbahen shërbime mortore në qytetin e shenjtë të Qomit, ndërsa më 8 korrik ceremonitë do të zhvendosen në Irak, në qytetet shiite të Naxhafit dhe Qerbelasë, pas kërkesave të figurave fetare, politike dhe përfaqësuesve të komuniteteve lokale. Ceremonitë do të përfundojnë më 9 korrik me varrimin në Mashhad. Në homazhe morën pjesë edhe figura të rëndësishme të establishmentit politik dhe ushtarak iranian, përfshirë kreun e Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi, i cili u shfaq publikisht për herë të parë që nga fillimi i shkurtit. Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se në ceremoni pritet të marrin pjesë rreth 100 delegacione të huaja.

Në ceremonitë mortore mungon udhëheqësi aktual suprem, Mojtaba Khamenei, duke nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore dhe sigurinë personale. Sipas Abdul Majid Hakimollahit, përfaqësues i Udhëheqësit Suprem në Indi, Mojtaba Khamenei nuk do të marrë pjesë në funeralin e babait të tij për shkak të kërcënimeve të sigurisë që lidhen me Izraelin. Që nga emërimi i tij në krye të Republikës Islamike në fillim të marsit, ai nuk është shfaqur asnjëherë në publik, ndërsa mesazhet e tij janë përcjellë vetëm përmes deklaratave të shkruara të publikuara nga mediat shtetërore iraniane.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit