
Zyrtari i lartë iranian deklaron se nuk do të ketë sulme të reja ndaj SHBA-së, por Teherani nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit
Irani nuk ka në plan të përgjigjet ushtarakisht ndaj sulmeve të fundit amerikane që goditën drejtpërdrejt objektivat bërthamore të vendit, por e bën të qartë se pasurimi i uraniumit do të vijojë pa ndërprerje. Në një intervistë për mediat perëndimore, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi, deklaroi se vendi i tij është i hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara, por theksoi se çdo negociatë duhet të garantojë mungesën e kërcënimit ushtarak nga Uashingtoni.
Sulmi i ndërmarrë më 12 qershor nga Izraeli ndaj programit bërthamor iranian, sipas Teheranit, ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe dëme serioze në infrastrukturën strategjike. Në përgjigje, Irani lëshoi raketa ndaj Tel Avivit dhe qyteteve të tjera izraelite, duke vrarë dhjetëra persona, sipas burimeve zyrtare. Megjithatë, një armëpushim i brishtë ka hyrë në fuqi që prej javës së kaluar.
Në atë që cilësohet si një nga ndërhyrjet më të rënda të Uashingtonit kundër Iranit, Presidenti Donald Trump urdhëroi një seri bombardimesh mbi qendrën bërthamore në Fordo, duke përdorur bomba të kalibrit të rëndë të tipit GBU-57. Ky sulm shënoi herën e parë që SHBA ka bombarduar drejtpërdrejt Republikën Islamike.
Pak ditë pas kësaj ndërhyrjeje, Irani reagoi me një sulm raketor ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar. Edhe pse nuk pati viktima, ngjarja rriti ndjeshëm tensionin në rajon dhe detyroi shumë fluturime të devijojnë nga aeroporti ndërkombëtar i Dohas.
Takht-Ravanchi, i zhgënjyer nga këto zhvillime, nënvizoi se ndërkohë që Teherani ishte i angazhuar në negociata me Uashingtonin për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, veprimet ushtarake të SHBA-së minuan çdo besim të mbetur. Ai i bëri thirrje Uashingtonit të japë shpjegime për atë që e quajti “veprim të rëndë dhe të pabesueshëm kundër popullit iranian”.
Megjithë gjithçka, Teherani nuk e përjashton mundësinë e negociatave të reja, duke kushtëzuar çdo bisedim me një garanci për mospërdorim force nga ana e SHBA. “Duam dialog, por kërkojmë siguri që negociatat të mos shndërrohen në pretekst për ndërhyrje ushtarake”, theksoi zyrtari iranian.
Irani vazhdon të mohojë çdo synim për të ndërtuar një armë bërthamore, duke theksuar se si anëtar i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore ka të drejtën e pasurimit të uraniumit për qëllime civile. Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë janë alarmuar pasi pas përfundimit të marrëveshjes me SHBA-në, Irani ka filluar të pasurojë uraniumin në nivele afër atij që nevojitet për armë bërthamore.