Irani pezullon marrëveshjen me SHBA, përshkallëzohen sulmet dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit

Irani pezullon marrëveshjen me SHBA, përshkallëzohen sulmet…

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, teksa Teherani njoftoi se ka pezulluar zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të marrëveshjes së përkohshme me Uashingtonin, ndërsa të dyja palët vijojnë shkëmbimin e sulmeve ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës strategjike.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi për televizionin shtetëror se SHBA ka shkelur detyrimet e saj sipas marrëveshjes së arritur rreth një muaj më parë, ndaj Irani nuk e konsideron më veten të detyruar ta zbatojë atë.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka zhvilluar natën e shtatë radhazi të sulmeve ajrore, duke goditur, sipas saj, qendra vëzhgimi, depo nëntokësore armësh, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare iraniane.

Përplasjet janë zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Sipas autoriteteve iraniane, kalimi i anijeve në këtë ngushticë mbetet i bllokuar që prej fillimit të luftës, duke shkaktuar rritje të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Të shtunën, Irani goditi një impiant të desalinizimit të ujit dhe një objekt nafte në Kuvajt. Autoritetet kuvajtiane raportuan disa të plagosur dhe zjarre në të dy objektet, ndërsa një pjesë e njësive të prodhimit të energjisë elektrike u nxorën jashtë funksionit. Si pasojë e kërcënimit me raketa, Kuvajti mbylli përkohësisht hapësirën ajrore dhe shumë fluturime u riplanifikuan.

Paralelisht, Iraku bëri të ditur se ka rrëzuar dronë sulmues mbi qytetin Erbil, ndërsa Jordania dhe Bahreini aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore pas lëshimit të raketave iraniane. Edhe Arabia Saudite raportoi alarme ajrore gjatë ditës.

Nga ana tjetër, televizioni shtetëror iranian raportoi se sulmet amerikane kanë goditur një central elektrik dhe një impiant desalinizimi në provincën Hormozgan, si edhe ura dhe tunele pranë Bandar Abbasit, portit kryesor iranian në brigjet e Ngushticës së Hormuzit.

Sipas autoriteteve iraniane, gjatë tre javëve të fundit nga sulmet amerikane janë vrarë të paktën 50 persona dhe janë plagosur mbi 500 të tjerë. Ndërkohë, Pentagoni ka konfirmuar se numri i ushtarëve amerikanë të plagosur është rritur në 427, ndërsa 14 efektivë kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit.

Përshkallëzimi i luftimeve po rrit shqetësimin ndërkombëtar për sigurinë energjetike globale dhe për mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit për momentin duken të ngrira.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit