
Irani nuk do të negociojë për programin bërthamor ndërsa Izraeli vazhdon sulmet ajrore, dhe Evropa kërkon zgjidhje diplomatike
Irani deklaroi të premten se nuk do të zhvillojë asnjë bisedim për të ardhmen e programit të tij bërthamor për aq kohë sa Izraeli vazhdon sulmet ajrore ndaj tij. Ndërkohë, përfaqësues të vendeve kryesore europiane po përpiqen të rikthejnë Teheranin në tryezën e negociatave, ndërsa pritet që Shtetet e Bashkuara të marrin një vendim për përfshirjen e tyre brenda dy javësh.
Që nga e premtja e kaluar, Izraeli ka nisur ofensivën e tij ndaj Iranit, duke deklaruar se synon të ndalojë armiqtë e tij historikë të zhvillojnë armë bërthamore. Në kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj territorit izraelit, ndërkohë që insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime krejtësisht paqësore.
Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran, sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar 639 viktima, mes të cilëve edhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë. Nga ana tjetër, autoritetet izraelite konfirmojnë se të paktën 24 civilë kanë humbur jetën nga sulmet iraniane. Por ende nuk ka verifikim në mënyrë të pavarur për bilancin e viktimave.
Burime perëndimore dhe rajonale thonë se Izraeli ka goditur objektiva bërthamore dhe infrastruktura raketore, si dhe zona të banuara, me qëllim dobësimin e qeverisë së udhëhequr nga lideri suprem Ali Khamenei. Kryeministri Benjamin Netanyahu theksoi se rrëzimi i regjimit nuk është objektivi i drejtpërdrejtë, por një pasojë e mundshme që do t’i takonte popullit iranian ta ndërmarrë.
Irani, nga ana tjetër, pretendon se ka sulmuar vetëm objekte ushtarake dhe të sigurisë në Izrael, ndonëse një spital dhe disa zona civile kanë pësuar dëme. Izraeli e akuzoi Teheranin se përdori municione të ndaluara, si bombat thërrmuese, që shpërndajnë eksplozivë në hapësira të mëdha. Përfaqësuesit e Iranit në OKB nuk reaguan menjëherë ndaj këtyre pretendimeve.
Shërbimet emergjente iraniane raportuan se pesë spitale janë dëmtuar nga sulmet ajrore të Izraelit. Tensionet nuk kanë rënë, ndërkohë që ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, do të takohen sot në Gjenevë me homologun iranian Abbas Araqchi për të kërkuar uljen e konfliktit.
Shefi i diplomacisë britanike, David Lammy, u shpreh se është koha të ndalet gjakderdhja në Lindjen e Mesme dhe të parandalohet një përshkallëzim i mëtejshëm, që nuk do t’i shërbente askujt. Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi bisedime me Lammy dhe me homologët e tij nga Australia, Franca dhe Italia, duke theksuar qëndrimin e përbashkët se “Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore”.
Megjithatë, ministri iranian Araqchi deklaroi për televizionin shtetëror se Irani nuk do të pranojë asnjë formë dialogu për sa kohë që bombardimet izraelite vazhdojnë. Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping kanë dënuar veprimet e Izraelit, duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të dhunës. Ndërkohë, roli i SHBA-ve në këtë konflikt mbetet ende i paqartë, megjithëse i dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, ka zhvilluar disa kontakte me Araqchin.