
Ish-agjenti i CIA-s, Andrew Bustamante, ka ndarë një strategji të fuqishme që ai beson se çdo njeri duhet ta dijë, qoftë për jetën personale, qoftë për marrëdhëniet profesionale.
Në një intervistë për UNILAD, ai tha se një nga mësimet më të rëndësishme që mori në CIA është fuqia e të qenit i padukshëm dhe i përmbajtur.
“CIA na mëson se ka fuqi të jashtëzakonshme në anonimitet, në faktin që nuk bie në sy, që nuk flet shumë,” – shprehet ai.
Në një shoqëri ku jemi mësuar të spikasim e të marrim vëmendje, kjo është krejtësisht kundër rrjedhës. Por sipas Bustamante, nëse flet më pak, njerëzit priren të të besojnë më shumë dhe të ndajnë informacione më të ndjeshme, sepse nuk të perceptojnë si kërcënim.
Kjo strategji funksionon jo vetëm në botën e spiunazhit, por edhe në jetën e përditshme, si në takime, në punë, apo në biseda me partnerin.
“Njerëzit mendojnë se kanë pasur një bisedë të shkëlqyer me ju, sepse kanë folur vetë gjatë gjithë kohës,” – thotë ai.
Të flasësh më pak nuk do të thotë të mos shprehesh, por të kuptosh më mirë të tjerët, të vlerësosh situatën dhe të mos ngatërrohesh në keqkuptime.
Në fund, ai shton: “Të jesh ‘personi i heshtur’ shpesh interpretohet si durim, mirëkuptim dhe empati – dhe kjo të bën më të pëlqyeshëm.”