Ish-agjenti i SHISH i dënuár me burgím të përjetshëm kërkon t'i shpëtojë burgut

Ish-agjenti i SHISH i dënuár me burgím…

Marjan Rroku, ish-agjenti i SHISH, i cili vrau 19 vjet më parë me armën e shërbimit studenten 16-vjeçare Alda Canajn dhe mamanë e saj Mbarime Canajn, është shfaqur sërish pas një dalje të bërë në media tek Ardit Gjebrea ku kërkoi publikisht një mundësi lirimi.

Këtë herë Rroku ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të rrëzojë ligjin e amnistisë, miratuar nga Kuvendi më 30 janar të 2020 ku duke përfituar nga amnistia u liruan 175 të dënuar, shumica gra.

Ai ka ngritur një padi përmes së cilës kërkon shfuqizimin e amnistisë dhe rikthimin në qeli të të burgosurve që përfituan, me pretendimin se ai vetë është përjashtuar nga kategoria e të dënuarve që kanë përfituar shuarje të pjesshme të dënimit penal për shkak të amnistisë dhe kjo sipas tij cënon barazinë para ligjit.

Marjan Rroku pretendon se amnistia është diskriminuese ndaj të dënuarve meshkuj ndaj edhe është në kundërshtim me Kushtetutën, e cila në nenin 18 parashikon se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimet e Rrokut, duke rrëzuar kërkesën e tij në dhomë këshillimi.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se pretendimi i kërkuesit se Kuvendi ka detyrimin të miratojë ligje për dhënien e amnistisë edhe ndaj të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe se ligji nr. 5/2020 i ka cenuar parimin e barazinë para ligjit dhe parimin e mosdiskriminimit është i pabazë.

KRIMI:

Në vitin 2001, Rroku vrau Alda Canajn e nënën e saj, Mbarime Canaj. Mbarimja u vra në përpjekje për të mbrojtur të bijën nga plumbat, me çantën e dorës. Pas krimit të tmerrshëm që tronditi Shqipërinë dhe që përkujtohet çdo 8 mars, Rroku u arratis në SHBA, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por, ai u arrestua dhe më pas ekstradua në Shqipëri, ku aktualisht vuan dënimin me burgim përjetë. /GazetaAtdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit