
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është rikthyer në Kosovë për herë të dytë brenda pak ditësh, këtë herë për të vizituar varrin e babait të tij në Skënderaj.
Babai i tij, Haxhi Thaçi, ndërroi jetë disa ditë më parë dhe u varros në vendlindje, por ish-kryeministri nuk u lejua nga Gjykata Speciale në Hagë të merrte pjesë në ceremoninë mortore. Pavarësisht kërkesës së tij, autoritetet gjyqësore e refuzuan atë, duke nxitur diskutime mbi qasjen e institucionit ndaj figurave të ish-UÇK-së që ndodhen në paraburgim.
Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat në Kosovë, Thaçi ka marrë leje për një vizitë në vendlindje, ku sot ka nderuar kujtimin e të atit pranë varrit të tij.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që ai kthehet në Kosovë. Kujtojmë se ai ishte lejuar të shkonte në Prishtinë për të parë të atin tri ditë para se ai të ndërronte jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), teksa ai ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.