Dhjetra ish-minatorë kanë bllokuar hyrjen e Parlamentit dhe janë përplasur me punonjësit e sigurimit paraditen e kësaj të enjte. Tashmë në pension, ata kanë kërkuar të hyjnë brenda sallës së Parlamentit për të kërkuar premtimet elektorale që u kanë dhënë politikanët sa i përket statusit të minatorit dhe rritjes së pensioneve.

Protestuesit nuk kanë pranuar as përfaqësues të opozitës dhe kanë larguar deputetët që janë afruar. Ish-minatorët thonë se janë të zhgënjyer nga politika e 33 viteve. Shumica prej tyre edhe pse kanë plotësuar vitet e punës, sërish nuk janë vlerësuar me pagesat e pensioneve.

Ata kanë kërkuar ballafaqim me krerët e lartë të institucioneve për t’i kërkuar më shumë dinjitet për punën që kanë bërë. Thonë se ndihen të diskriminuar dhe të mashtruar me propagandën që bëhet në emër të tyre.
“Deputetët marrin 5 milionë lekë, unë marr 150 mijë lekë. Unë 50 mijë lekë i dua ilacce. Si të mbijetojë unë? Kryeministër the në fushatë që nuk do ketë pension nën 200 mijë lekë të vjetra. Sektori më i vështirë sot është më i keqpaguari” – thonë ish-minatorët.