Ish-ministri i Ramës kritika KLGJ-së dhe KLP-së

Ish-ministri i Ramës kritika KLGJ-së dhe KLP-së

Veprimtaria e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019 ka lënë të pakënaqur socialistët e Komisionit të Ligjeve. Gjatë shqyrtimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së tyre, ish-drejtuesi i Komisionit Parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj adresoi disa kritika ndaj KLGJ-së dhe KLP-së për mënyrën se si ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Vërejtjen e parë e kishte për transparencën e vendimmarrjes, jo vetëm ndaj publikut por edhe ndaj vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Të dyja këshillat dhe në mënyrë të veçantë KLGJ-ja, në vlerësimin tim vuan nga një llojë transparencë në raport me publikun dhe me vetë komunitetin të cilat ato drejtojnë”, tha Xhafaj.

Vërejtjen e dytë e Fatmir Xhafajt ishte për mosrealizimin e hartës së re gjyqësore. Relatori i Çështjes, Adnor Shameti kishte dhënë nota pozitive për fillimin e kësaj punës por për socialistin Xhafaj kjo gjë duhet të ishte përfunduar. 

“Çfarë vlerësimi mund t’i bëjmë ne Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore. Pse ka filluar punën?! Këshilli është me vonesë! Nuk mund të themi ta vlerësojmë një gjë që do të duhet ta kishte përfunduar”, ka vijuar Xhafaj.

Kritikat për KLGj-në vijuan edhe nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Sipas tij, Këshilli ka ndjekur rrugën e gabuar për të plotësuar Gjykatën e Lartë.

“Pse nuk janë shpallur të gjitha vendet vakante për gjyqtarët që do të vijnë nga radhët e gjyqësorit. Arsyet që u dhanë këtu nuk janë indikator, nuk janë arsye bindëse”, tha Manja.

Të dyja projektrezolutat do të rishkruhen së bashku me vërejtjet e bëra dhe do të kalojë për miratim në seancë plenare.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit