Ish-punonjësit e Gjendjes Civile në Kukës: "Na lanë pa punë dhe pa pagesat që na takojnë"

Ish-punonjësit e Gjendjes Civile në Kukës: “Na…

Një ish-punonjës i Gjendjes Civile në Kukës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar situatën në të cilën ndodhen ai dhe kolegët e tij pas ristrukturimit të këtij shërbimi.

Sipas denoncimit, marrëdhënia e tyre e punës është ndërprerë në muajin mars të këtij viti, ndërsa u ishte premtuar se do të përfitonin pagesën që u takonte, në varësi të vjetërsisë në punë. Megjithatë, ata pretendojnë se deri më sot nuk kanë marrë asnjë nga këto pagesa.

Në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë, qytetari shkruan:

“Përshëndetje JOQ! Ju shkruaj pasi dua të denoncoj një padrejtësi që bëhet prej muajsh për ne ish-punonjësit e Gjendjeve Civile në Kukës, që kemi ngelur në rrugë të madhe pas ristrukturimit të këtij shërbimi. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në mars të këtij viti, na u tha që do të paguheshim 2-3 muaj, sipas vjetërsisë respektive, por këto fjalë ngelën vetëm në letra. Po ashtu, për periudhën prill-qershor nuk na është hequr emri nga sistemi si të punësuar, pavarësisht se nuk kemi marrë asnjë pagesë, gjë që ka sjellë kalimin e afateve për të marrë të paktën asistencën e papunësisë. Kërkojmë që rasti ynë të bëhet publik dhe të gjendet një zgjidhje sa më parë. Ju faleminderit nëse e bëni publike.”

Sipas ish-punonjësve, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e pagesave të premtuara, por edhe me faktin se ata kanë rezultuar ende të regjistruar si të punësuar në sistem për disa muaj pas largimit nga puna. Për pasojë, pretendojnë se kanë humbur afatet për të aplikuar dhe përfituar asistencën e papunësisë, duke u lënë pa asnjë burim të ardhurash.

Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë sa më shpejt, të sqarojnë situatën dhe të zgjidhin këtë problem, i cili sipas tyre po i penalizon padrejtësisht prej muajsh.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit