Ish-zyrtari amerikan Jason Steinbaum ka deklaruar se Kosova nuk duhej të themelonte Gjykatën Speciale, duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komentet e tij vijnë pas dënimeve me një total prej 81 vitesh burgim, ndërsa Steinbaum pretendon se provat nuk janë shqyrtuar siç duhet.
Sipas tij, që nga themelimi, Gjykata Speciale është perceptuar si një institucion i fokusuar te ish-liderët e UÇK-së, ndërsa nuk ka ndjekur në të njëjtën mënyrë persona serbë të dyshuar për krime gjatë luftës në Kosovë. Steinbaum tha se procesi mund të ishte zhvilluar edhe përmes sistemit të drejtësisë së Kosovës, duke shprehur kritika për qasjen e ndjekur nga gjykata.
Në lidhje me vendimin, Steinbaum u shpreh se pret që çështja të shqyrtohet në Apel dhe se mbrojtja duhet të ngrejë pretendimin se provat nuk janë vlerësuar siç duhet. Sipas tij, nëse gjyqtarët e Apelit arrijnë në përfundimin se ka pasur gabime në vlerësimin e provave, vendimi mund të rishikohet në procedurat e mëtejshme gjyqësore.