Ismail Kadare fiton çmim për kontributin e shquar në zhvillimin e letërsisë së Ballkanit

Ismail Kadare fiton çmim për kontributin e…

Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Pro-Za Balkan” i ka akorduar çmimin “Prozart” shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Ky çmim iu dha për kontributin e shquar të shkrimtarit për zhvillimin e letërsisë së Ballkanit dhe për punën e tij të gjatë, që ka marrë gjithmonë lëvdata në Europë.

Festivali, i cili zakonisht mbahet në fund të majit, u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Çmimi iu dërgua Kadaresë në shtëpinë e tij në Paris. Bordi,që u ngarkua për dhënien e këtij çmimi, i përbërë nga shkrimtarët Ermis Lafazanovski, Aleksandar Prokopiev dhe Dejan Trajkoski është shprehur: “Është nder të japësh këtë çmim për një shkrimtar që ka lënë gjurmë në pjesën e dytë të shekullit të XX dhe fillimin e këtij shekulli”.

Edhe Kadare ka reaguar pas marrjes së çmimit me anë të një letre në të cilën shpreh mirënjohjen, por edhe pikëllimin për pamundësinë e pranimit të çmimit personalisht.

Kuptohet se më paraqet rëndësi të madhe që çmimi ‘Pro-zart’ e madhështon letërsinë e Ballkanit dhe jam i nderuar që bëj pjesë në shoqërinë e laureatëve të deritanishëm të kësaj mirënjohjeje. Lexuesit e veprave të mia, ndoshta fillimisht më kanë konsideruar shkrimtar shqiptar dhe kjo është mjaft e arsyeshme. Ata ndoshta më konsiderojnë edhe autor i cili hulumton ngjarje të caktuara të historisë të cilat nuk janë të rëndësishme vetëm për rajonin ballkanik, si Shekspirin, tragjedinë greke, Luftën e Dytë Botërore, aferën Pasternak. Mund të shtoj se letërsia e Ballkanit është letërsi globale sepse aq shumë autorë ballkanikë, duke më përfshirë edhe mua, lexohen me përkthim. Aq më tepër, çështjet tona rajonale janë çështje globale, ku për shembull, përfundon Evropa? Nuk bëhet fjalë për çështje, në të cilën letërsia e Ballkanit apo cila do tjetër, mund të përgjigjet me definicion, por është çështje në të cilën letërsia dhe historia u treguan fashinante. Shpresoj se lexuesit do ta shfrytëzojnë mundësinë të zhyten në letërsi në këto momente të pakëndshme”, ka shkruar Kadare në letrën e tij.

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit