Një 17-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila jeton në provincën e Raguzës, në Sicili të Italisë, është vendosur në një komunitet për të mitur, pasi dyshohet për veprimtari të lidhura me propagandën xhihadiste dhe vetëtrajnimin me qëllime terroriste.
Sipas mediave italiane, përfshirë ANSA-n dhe “la Repubblica”, ndaj vajzës është caktuar një masë paraprake nga Gjykata për të Miturit në Katania, e ekzekutuar nga policia e Raguzës. Hetimi nisi pas një sinjalizimi nga AISI, shërbimi italian i inteligjencës së brendshme, për përmbajtje të dyshimta që e mitura publikonte kryesisht në TikTok.
Hetuesit dyshojnë se ajo shpërndante video propagandistike të Shtetit Islamik (ISIS), përfshirë pamje të ekzekutimeve të të burgosurve, si dhe materiale që justifikonin veprimtarinë e organizatës terroriste. Gjatë hetimeve janë identifikuar gjithashtu kontakte në internet me persona që pretendonin se ishin anëtarë të ISIS-it dhe përdorues që promovonin akte terroriste.
Një nga elementet kryesore të hetimit është telefoni celular, i sekuestruar gjatë një kontrolli në muajin maj. Sipas autoriteteve italiane, analiza e pajisjes zbuloi manuale për vetëtrajnim me qëllime terroriste dhe udhëzime për prodhimin e eksplozivëve artizanalë.
Në pajisje u gjetën edhe materiale që lidhen me radikalizmin e dhunshëm dhe antisemitizmin, referenca ndaj simboleve të ekstremit të djathtë dhe imazhe që dyshohet se janë krijuar me anë të inteligjencës artificiale.
Sipas raportimeve, hetuesit shqyrtuan edhe ndryshimet në sjelljen e vajzës dhe aktivitetin e saj në mjedisin shkollor. Autoritetet po përpiqen të identifikojnë personat me të cilët ajo komunikonte në internet dhe të përcaktojnë nëse dikush e kishte ndikuar apo nxitur drejt radikalizimit.
Vajza po hetohet për vetëtrajnim dhe apologji të terrorizmit, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar. Vendosja në komunitet është masë paraprake dhe nuk përbën vendim fajësie. Hetimet vijojnë.