
Ai kaloi murin rrethues të burgut të sigurisë maksimale të Badu’e Carros në Nuoro, Sardenja, me një litar të bërë nga çarçafët.
Kështu Marco Raduano, bosi 39-vjeçar i mafies që besohet të jetë në krye të klanit në zonën Gargano, në Vieste, arriti të arratisej nga burgu i Sardenjës pasditen e së premtes 24 shkurt.
Raduano mbahej në Regjimin e Sigurisë së Lartë 3 dhe kishte dënime që do ta përfundonte vuajtjen në vitin 2046. Vetëm më 3 shkurt ai u njoftua për një tjetër dënim të ri, përfundimtar, me 19 vjet burg për trafikim droge që vinte nga Shqipëria në Puglia
I njohur edhe me pseudonimin “Pallone”, pas vdekjes së bosit Angelo Notarangelo ai u ngjit në krye të mafies Viestina.
Rreth orës 22:00 të së premtes, fishekzjarret shpërthyen në Vieste, qyteti i origjinës së Raduano, fishekzjarre që ishin hedhur nga anëtarët e klanit për të festuar arratisjen e tij.
Ndjekja e tij ka nisur në Sardenjë që nga mbrëmja e së premtes me një dislokim të madh të forcave të policisë në të gjithë territorin. Sipas të dhënave të para të hetuesve, Raduanos iu deshën dy orë kohë për t’u larguar.