Italia ashpërson rregullat në shkolla: Ndalohet burka dhe nikabi

Italia ashpërson rregullat në shkolla: Ndalohet burka…

Qeveria italiane ka miratuar një dekret që ndalon përdorimin e burkës dhe nikabit në shkolla, ndërsa vendos një kufi prej 30% për nxënësit me njohuri të pamjaftueshme të gjuhës italianenë një klasë.

Kryeministrja Giorgia Meloni i cilësoi masat si “mjete të arsyeshme që nuk ndajnë, por ndihmojnë integrimin”, duke thënë se synimi është shmangia e krijimit të “klasave geto” dhe garantimi i mundësive të barabarta për nxënësit.

Ndalimi vlen për burkën dhe nikabin, ndërsa hixhabi mbetet i lejuar, pasi nuk mbulon fytyrën. Meloni ka deklaruar se nxënësit duhet të shkojnë në shkollë me fytyrën e zbuluar, duke e lidhur masën me sigurinë, integrimin dhe të drejtat e grave dhe vajzave.

Kufiri 30% do të zbatohet në nivele të ndryshme arsimore për nxënësit pa shtetësi italiane, në varësi të kohës që kanë kaluar në sistemin shkollor italian. Në rastet kur kufiri nuk mund të respektohet, parashikohen përjashtime dhe mësim shtesë i italishtes.

Dekreti ka hyrë menjëherë në fuqi, por duhet të miratohet nga Parlamenti brenda 60 ditësh.

Opozita e ka kundërshtuar masën, duke akuzuar qeverinë se po e përdor çështjen e emigracionit për qëllime politike përpara zgjedhjeve të ardhshme. Organizata Save the Children ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e efekteve diskriminuese ndaj fëmijëve.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka mbrojtur vendimin, duke theksuar se kriteri për nxënësit është kryesisht gjuhësor dhe jo i bazuar vetëm te shtetësia.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit