
Italia do të lejojë hyrjen ligjore të 500 mijë emigrantëve për punë deri në vitin 2028, duke favorizuar vendet që ndihmojnë në frenimin e emigracionit të paligjshëm, përfshirë Shqipërinë
Italia ka miratuar një dekret të ri që hap rrugën për pranimin e 500 mijë punëtorëve nga vende jashtë BE-së gjatë periudhës 2026–2028. Ky vendim, i cili shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën 2023–2025, synon të plotësojë boshllëqet në tregun e punës italian, veçanërisht në sektorët ku nevoja është e lartë.
Shqipëria shihet si një ndër vendet e favorizuara në këtë proces, pasi ka bashkëpunuar me Italinë në menaxhimin e emigracionit të paligjshëm. Ndërtimi i kampeve të përbashkëta në Gjadër ka konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe, duke e vendosur Shqipërinë në një pozicion të avantazhuar për ndarjen e kuotave të punës.
Dekreti ndan 500 mijë kuota në dy kategori kryesore: rreth 267 mijë për punë sezonale, kryesisht në bujqësi dhe turizëm, dhe 230,550 për punësime jo-sezonale dhe të vetëpunësuar. Brenda këtyre të fundit, 13,600 vende janë rezervuar për ndihmës shtëpiakë të huaj për vitin 2026, një treg që pritet të zgjerohet vit pas viti.
Në vitin 2026, janë planifikuar 164,850 hyrje të reja, ku 88,000 vende i përkasin punës sezonale dhe pjesa tjetër punësimeve jo-sezonale. Ndër sektorët kryesorë të përfitimit janë ndërtimi, prodhimi, shërbimet dhe veçanërisht kujdesi në shtëpi. Për këto pozicione, shtetasit shqiptarë, nëse aplikojnë në kohë, do të kenë përparësi.
Për të aplikuar, punëdhënësit duhet të ndjekin sistemin online të njohur si “dita e klikimit”. Për vitin 2026, aplikimet nisin në janar dhe përfundojnë në shkurt. Data e parë për dorëzimin e aplikimeve për bujqësi është 12 janari, ndërsa për turizëm është 9 shkurti. Më 16 dhe 18 shkurt do të hapet aplikimi për kategoritë e tjera, përfshirë punë jo-sezonale dhe të vetëpunësuar.
Ky mekanizëm, megjithatë, është kritikuar për mungesë efikasiteti dhe përparësi teknike. Mbi të gjitha, lejet jepen sipas radhës së aplikimeve, çka ka prodhuar garë të fortë dhe shpesh anarki teknologjike, ndaj pritet që qeveria italiane të sjellë reforma të mundshme në sistem për ta bërë më të drejtë dhe të përshtatshëm për nevojat reale të tregut.