Italia i jep fund “kaosit” të monopatinave, targa dhe kaskë të detyrueshme për të gjithë

Italia i jep fund “kaosit” të monopatinave,…

Italia ka miratuar një dekret të ri që ashpërson ndjeshëm rregullat për përdorimin e monopatinave elektrike në rrugët e qyteteve. Nga tani, çdo monopatinë do të duhet të ketë targë dhe çdo përdorues, pavarësisht moshës, do të jetë i detyruar të mbajë kaskë mbrojtëse.

Ky vendim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit vjen si përgjigje ndaj rritjes së aksidenteve dhe vështirësisë për të identifikuar mjetet që përfshihen në to. Targat e reja do të ndihmojnë në regjistrimin dhe gjurmimin e monopatinave, duke i nxjerrë nga “anonimiteti” që i ka karakterizuar deri më sot.

Përdoruesit që nuk respektojnë këto masa do të përballen me gjoba që variojnë nga 100 deri në 400 euro.

Dekreti synon të unifikojë rregullat në mbarë vendin, duke zëvendësuar qasjet e ndryshme që janë zbatuar deri më tani nëpër qytete të veçanta. Me këtë vendim, Italia i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë vendesh që po vendosin kufizime për monopatinat elektrike.

Në Paris, për shembull, monopatinat me qira janë ndaluar plotësisht që nga shtatori 2023, pas një referendumi ku 90% e qytetarëve votuan pro ndalimit. Masa të ngjashme janë marrë edhe në Malta, ku është ndaluar përdorimi në shkallë kombëtare, ndërsa në Finlandë është ndaluar për personat nën 15 vjeç. Kufizime janë vendosur gjithashtu në Britaninë e Madhe, Irlandë, Singapor dhe Melburn (Australi).

Autoritetet italiane theksojnë se objektivi kryesor është rritja e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht në mjediset urbane me trafik të lartë, ku monopatinat shpesh përbëjnë rrezik për veten dhe të tjerët.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit