Italiani vret të dashurën shqiptare me girë palestre, më pas vetëvritet duke u hedhur nga ura

Italiani vret të dashurën shqiptare me girë…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku 25-vjeçari Andrea Nardini dyshohet se ka vrarë të dashurën e tij, 23-vjeçaren Ionela Miruna Girneata, me origjinë shqiptare, dhe më pas i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga një urë në autostradën A1, në zonën e Barberino del Mugello.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 26 nëntor, në Ponte Buggianese, në provincën e Pistoias. Sipas mediave italiane, e reja dyshohet se është goditur disa herë në kokë me një girë dore që përdoret për ushtrime fizike.

Rreth orës 08:30, Nardini telefonoi numrin e emergjencës 112 dhe njoftoi për vdekjen e partneres. Gjatë telefonatës, ai kërkoi që policia të shkonte në banesë përpara se trupin ta gjenin gjyshërit e tij, ndërsa paralajmëroi se do të vriste edhe veten.

Policia lokalizoi më pas automjetin e tij, një Alfa Romeo Giulietta blu, pranë viaduktit Lora, në autostradën A1. Sipas raportimeve, 25-vjeçari i kishte vënë flakën makinës dhe më pas ishte hedhur nga ura.

Ky është i njëjti segment ure nga ku më 3 shtator u hodh dhe humbi jetën Lorena Isceri. Ish-partneri i saj, Federico Vella, e kishte rrëmbyer dhe lidhur në bagazhin e makinës përpara se ta hidhte nga ura.

Ionela dhe Andrea njiheshin që nga shkolla dhe bashkëjetonin prej rreth gjashtë vitesh. Sipas mediave italiane, një nga pistat që po hetohet është se e reja kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes. Në banesë janë konstatuar shenja që mund të tregojnë për një përleshje, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e plotë të ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit