Izraeli i ka përcjellë inteligjencës amerikane informacionin se Irani dyshohet se po përgatit një plan të ri për të vrarë presidentin amerikan Donald Trump. Sipas raportimeve të “Wall Street Journal” dhe “CNN”, duke cituar burime anonime, paralajmërimi është dhënë këtë javë, ndërsa detajet e planit nuk janë bërë publike. Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar informacionin, ndërsa Trump ka deklaruar se Irani kërkon eliminimin e tij.
Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, Izraeli ka konfirmuar se bëhet fjalë për një plan të ri iranian, i cili ishte zbuluar pjesërisht edhe nga shërbimet amerikane. Ndërkohë, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, Trump u largua nga Samiti i NATO-s në Turqi me avionin presidencial të vjetër, pavarësisht ofertës për një avion tjetër.
Raportimet për këtë kërcënim vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, por edhe mes Uashingtonit dhe qeverisë së Izraelit për mënyrën e menaxhimit të konfliktit. Irani ka kërcënuar prej vitesh me hakmarrje ndaj Donald Trump pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani në vitin 2020, ndërsa autoritetet amerikane vijojnë të marrin masa për sigurinë e presidentit.