Izraeli në luftë, heq vizat për Kosovën: Qytetarët të vijnë për qëllime turistike

Izraeli në luftë, heq vizat për Kosovën:…

Izraeli, ndonëse ndodhet në luftë, ka vendosur t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve udhëtimin e lirshëm drejt vendit të Lindjes së Mesme për qëllime turistike.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës, ku në një deklaratë për mediat bëri me dije se Vjosa Osmani u njoftua për vendimin e Izraelit nga ambasadorja izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv, gjatë një takimi të hënën. Ky vendim i Izraelit, i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhet në njoftim.

Në takim, sipas komunikatës, u diskutua edhe për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. Ndërsa më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare. Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit