Izraeli i ka dhënë fund armëpushimit të vendosur në 19 janar të këtij viti me Gazën, duke zhvilluar një sulm vdekjeprurës rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm me orën lokale.
Raportohet se të paktën 330 palestinezë janë vrarë gjatë sulmit të fundit. Sulmet izraelite kanë goditur zona urbane të mbipopulluara, disa shkolla të improvizuara dhe kampet e tendave ku strehoeshin vendasit.
Numri i civilëve të vrarë është i lartë duke përfshirë dhe fëmijë. Kjo përfaqëson valën më të rëndë të sulmeve ajrore në Gaza që nga armëpushimi i 19 janarit.
Përpjekjet për të zgjatur armëpushimin kanë dështuar, ndërsa Gaza përballet me një krizë humanitare të rëndë, pasi Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmave dhe mallrave për më shumë se dy javë.
Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se sulmet ishin një përgjigje ndaj “refuzimit të përsëritur” të Hamasit për të liruar robërit e mbetur. Sipas transmetimeve, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Donald Trump ishte konsultuar përpara fillimit të sulmeve.
Hamasi nga ana tjetër e dënoi ashpër qeverinë izraelite për prishjen e armëpushimit dhe akuzoi Netanyahun për ekspozimin e të burgosurve në Gaza ndaj një “fati të panjohur”. Grupi bëri thirrje për protesta globale kundër sulmeve izraelite.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 48,577 palestinezë janë konfirmuar të vrarë dhe 112,041 janë plagosur nga fillimi i konfliktit.
Nga ana tjetër, në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, u vranë të paktën 1,139 persona dhe mbi 200 u morën peng.