Jahti luksoz në pronësi të Bruno Çelës, djalit të biznesmenit Geront Çela, pronar i kompanisë “Brunes”, kishte mbërritur nga Italia vetëm pak minuta përpara alarmit për të shtëna me armë pranë bregut të Palasës, mbrëmjen e së dielës. Burime bëjnë me dije se, pas sinjalizimit të pushuesve, Policia Kufitare e Vlorës regjistroi hyrjen e mjetit lundrues në territorin shqiptar dhe identifikoi të gjithë personat që ndodheshin në bord. Pas rreth dy orësh ndjekjeje në det, jahti u ndalua pranë Himarës.
Gjatë kontrollit të mjetit nuk u gjet asnjë armë zjarri, ndërsa katër personat në bord u shoqëruan dhe u morën në pyetje. Ata mohuan të kishin qëlluar me armë dhe më pas u lanë të lirë me urdhër të prokurorit. Hetuesit u kanë marrë mostra nga duart për ekspertizën e mbetjeve të barutit, rezultatet e së cilës pritet të përcaktojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë zjarri. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, gjatë ndjekjes në det ka pasur edhe një tentativë për t’iu shmangur policisë, ndërsa për një moment janë fikur dritat e jahtit, duke shtuar dyshimet mbi rrethanat e ngjarjes.
Në bord ndodheshin Bruno Çela, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nën siglën e PSD-së, biznesmeni i ndërtimit Pashk Gjini, Afrim Kastrati dhe Leonard Hasa. Hetuesit po verifikojnë disa pista, përfshirë mundësinë që të shtënat të jenë kryer nga persona që kanë hipur në jaht gjatë lundrimit ose edhe nga mjete të tjera lundruese që ndodheshin pranë tij në momentin e incidentit. Pashk Gjini u lirua nga burgu në fund të vitit 2022, pasi vuajti në Shqipëri një dënim të njohur nga autoritetet spanjolle për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa ndaj tij SPAK vijon një hetim pasuror. Çështja tashmë po hetohet nga Prokuroria e Vlorës, e cila pritet të kryejë veprime të tjera për zbardhjen e plotë të ngjarjes.