Zhytësit që po mbikëqyrin rrënojat e superjahtit me vlerë 40 milionë dollarë, të mbytur në brigjet e Sicilisë kanë kërkuar masa shtesë sigurie, mes shqetësimeve se të dhënat e ruajtura në kasafortën e jahtit mund të përbëjnë interes për qeveritë e huaja, përfshirë Rusinë dhe Kinën.
Prokurorët italianë, të cilët kanë nisur një hetim penal për vrasje dhe përmbytje të jahtit për shkak të pakujdesisë, besojnë se jahti “Bayesian”, 56 metra, mund të mbajë informacione shumë të rëndësishme, të lidhura me disa shërbime të inteligjencës perëndimore.
Lynch kishte lidhje me shërbimet e inteligjencës britanike, amerikane dhe të tjera përmes disa prej kompanive të tij, duke përfshirë edhe “Darktrace”, kompaninë e sigurisë kibernetike që ai themeloi.
Kjo kompani u shit në prill te një firme private investimesh në Çikago, “Thoma Bravo”. Lynch, i cili është këshilltar i ish-kryeministrave britanikë David Cameron dhe Theresa May në fushën e shkencës, teknologjisë dhe sigurisë kibernetike gjatë mandateve të tyre, sipas regjistrave të qeverisë britanike dhe atyre publikë të Darktrace, ishte gjithashtu bashkëshorti i pronares së jahtit.
Në jahtin e fundosur në një thellësi prej rreth 50 metrash, dyshohet të ketë kasaforta të papërshkueshme nga uji që mbajnë informacione shumë të rëndësishme, duke përfshirë kodet e kalimit dhe të dhëna të tjera të ndjeshme, tha një zyrtar i përfshirë në planet e shpëtimit. Zhytësit specialistë me kamera në distancë kanë kontrolluar jahtin.
Autoritetet vendase kishin frikë se mos hajdutët përpiqeshin të zhyteshin te rrënojat për të marrë bizhuteritë e shtrenjta dhe objekte të tjera me vlerë që mund të ishin ende në bordin e jahtit.