Pak ditë më parë, Policia e Tiranës arrestoi 45-vjeçaren Ina Cakaj, e dyshuar se u merrte shuma të konsiderueshme parash familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019, duke u premtuar se do t’i ndihmonte të përfitonin banesa të reja apo dëmshpërblime.
Por në fokus të këtij rasti është tashmë edhe një video-regjistrim i siguruar nga JOQ Albania, ku Cakaj shfaqet duke u prezantuar para disa banorëve në Fushë-Krujë si “këshilltare” e një projekti që, sipas saj, ishte ngritur nga kryeministri Edi Rama për familjet që ende prisnin të merrnin çelësat e apartamenteve të premtuara pas tërmetit.
Në video, 45-vjeçarja dëgjohet teksa u thotë banorëve se, nëse i jepnin 2 milionë lekë dhe dorëzonin dokumentet që ajo u kërkonte, brenda 24 orëve do të merrnin një mesazh nga Këshilli i Ministrave për miratimin e dhënies së çelësave të apartamenteve.
Cakaj, sipas regjistrimit të siguruar nga JOQ Albania, u prezantohet banorëve si person përgjegjës për zonën e Fushë-Krujës dhe pretendon se kishte për detyrë të gjente 20 familje që do të përfitonin nga projekti që ajo e prezantonte si “La Mama”.
Pretendimet e saj, sipas hetimeve të policisë, rezultuan të ishin pjesë e një skeme të dyshuar mashtrimi.
Sipas hetimeve, Cakaj dyshohet se paraqitej si person me lidhje dhe ndikim në administratën shtetërore, duke krijuar te qytetarët bindjen se kishte mundësi të ndërhynte në procedurat për përfitimin e banesave apo ndihmave për familjet e dëmtuara nga tërmeti.
Në këmbim të ndërhyrjes së pretenduar, ajo dyshohet se kërkonte shuma që varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro për person.
Deri në këtë fazë të hetimit, rreth 30 qytetarë në zonën e Fushë-Krujës dyshohet se kanë rënë pre e skemës, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar llogaritet në rreth 60 milionë lekë të vjetra.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar dokumente dhe certifikata familjare që u përkasin personave të dyshuar se janë përfshirë në këtë skemë.
Materialet procedurale ndaj 45-vjeçares janë referuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.