Japonia në alarm, po përgatitet për “mega-tërmetin” që mund të shkaktojë deri në 300,000 viktima

Japonia në alarm, po përgatitet për “mega-tërmetin”…

Qeveria japoneze ka ngritur alarmin për mundësinë e një “mega-tërmeti shkatërrues” që mund të godasë vendin brenda 30 viteve të ardhshme, me pasoja katastrofike: deri në 300 mijë të vdekur dhe 2 trilionë dollarë dëme.

Zona e rrezikut është Nankai Trough, një humnerë nënujore 800 km e gjatë në brigjet e Japonisë, ku një pllakë tektonike po zhytet nën një tjetër. Tërmete të mëdha kanë ndodhur aty çdo 100-200 vjet, ku i fundit ishte në vitin 1946.

Sipas një paneli qeveritar, shanset që një tërmet i përmasave të mëdha të godasë këtë zonë janë tani 75-82%.

Masa janë marrë ndër vite, por një raport i ri qeveritar pranon se përgatitjet aktuale do të ulnin viktimat vetëm me 20%, ndonëse synimi ishte një ulje prej 80%.

Kryeministri Shigeru Ishiba tha:

“Nevojitet bashkëpunim mes shtetit, komunave, kompanive dhe shoqërisë civile për të shpëtuar sa më shumë jetë”.

Për të përballuar katastrofën e mundshme, Japonia po ndërton digë, godina evakuimi dhe po organizon stërvitje të rregullta emergjence.

Paniku është shtuar edhe nga rrjetet sociale dhe një manga (libër komik) e rishfaqur në vitin 2021, që parashikon një fatkeqësi më 5 korrik 2025. Kjo ka bërë që disa turistë, kryesisht nga Hong Kongu, të anulojnë udhëtimet drejt Japonisë.

Por ekspertët paralajmërojnë se nuk është e mundur të parashikohet me saktësi kur do ndodhë një tërmet.

Shembulli më i afërt është tragjedia e vitit 2011, kur një tërmet me magnitudë 9 ballë dhe tsunami vranë mbi 15,500 njerëz dhe shkaktuan katastrofën bërthamore në Fukushima.

Megjithatë, një mega-tërmet në zonën Nankai mund të jetë edhe më i rrezikshëm se ai i vitit 2011, i konsideruar si më i fuqishmi që ka goditur ndonjëherë Japoninë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit