Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania dhe hedh dritë mbi një situatë që duket se është kthyer në normalitet në rrugën drejt Gjipes. Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, automjetet tip “Jeep”, të përdorura për transportin e pushuesve kundrejt pagesës, bllokojnë rrugën duke penguar kalimin e automjeteve dhe vizitorëve të tjerë.
Denoncuesi thotë se ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë, por përgjigjja ka qenë… asnjë përgjigje. Edhe pse situata është e dukshme dhe krijon kaos në një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të vendit, askush nuk merr masa për të rikthyer normalitetin.
Në kulmin e sezonit turistik, rrugët publike nuk mund të trajtohen si pronë private apo si terminale të improvizuara për të bërë biznes. Kur automjetet ndalojnë ku të duan, bllokojnë qarkullimin dhe askush nuk ndërhyn, mesazhi që u jepet qytetarëve është i qartë: ligji nuk vlen njësoj për të gjithë.
Nuk është hera e parë që ndodh. Vetëm pak ditë më parë, JOQ Albania publikoi një rast tjetër nga e njëjta zonë, ku qytetarët u detyruan të tërhiqnin zvarrë një automjet për të hapur rrugën.