
Të paktën 85 persona u vranë dhe 322 u plagosën në Jemen kur një turmë njerëzish të mbledhur në një qendër të shpërndarjes së ndihmave humanitare shkelën njeri-tjetrin.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme tha Anis al-Subaihi, një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë të qeverisë Houthi.
“Të paktën 85 persona kanë vdekur dhe mbi 322 të plagosur në rrëmujën gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare në rrethin Bab al-Jemen”, tha një burim i afërt me forcat e sigurisë Houthi në Sanaa.
“Në mesin e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 50 prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë”, shtoi burim për AFP.
“Viktimat e kësaj tragjedie, një nga më të rëndat në një dekadë, u trajtuan në spitalet e kryeqytetit dhe organizatorët e ngjarjes së shpërndarjes së ndihmës u arrestuan”, tha ministria e brendshme në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve SABA e kontrolluar nga rebelët.
Shumë jemenas, të varfër pas viteve të luftës, ishin mbledhur në qendrën e shpërndarjes së ndihmave përpara festës së Fitër Bajramit, një nga festat më të rëndësishme për myslimanët.