
Një qytetar nga Tirana ka denoncuar për JOQ mungesën e ujit prej të paktën 48 orësh në kompleksin malajzian, pranë kthesës së Kamzës, ku sipas tij jetojnë mbi 900 familje dhe funksionojnë rreth 200 biznese.
Sipas denoncuesit Rasim Cejku, situata është bërë e padurueshme, sidomos në temperaturat përvëluese që kanë përfshirë vendin ditët e fundit. Banorët po përballen me kushte tejet të vështira, veçanërisht ata që kanë fëmijë të vegjël apo të moshuar në shtëpi.
“Jemi qelbur nga mashtrimet e ëmbla të ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime Tiranë. Me këtë vapë dhe me fëmijë të vegjël nuk mund të jetojmë në këtë mënyrë,” shprehet qytetari në mesazhin e tij, duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme dhe zgjidhje urgjente të problemit.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse dhe ndriçimin e situatës që, sipas tyre, po vazhdon në heshtje dhe pa asnjë sqarim nga autoritetet.