Jeta e shenjtë e një shqiptari të harruar në Malin e Shenjtë

Jeta e shenjtë e një shqiptari të…

Në Dhrovjanin e vogël të Shqipërisë lindi një shenjtor i madh, që jetën ia kushtoi himnografisë dhe përkushtimit shpirtëror

Në jug të Shqipërisë, mes kodrave të qeta të Dhrovjanit, fshihet një histori e rrallë dhe thuajse e panjohur për shqiptarët. Është fjala për Shën Gerasim Mikragiannanitin, një figurë e shquar shpirtërore dhe kulturore, që konsiderohet shenjti i dytë shqiptar pas Nënë Terezës. Jeta e tij është një testament i përkushtimit ndaj Zotit, i përvujtërisë dhe i ndriçimit shpirtëror që kalon kufijtë e një vendi.

Për ironi, njohja për veprën e tij vjen më së shumti nga studimet dhe dokumentimet greke. Një nga studiuesit më të njohur që është marrë me jetën e tij është Dr. Charalambos Bousias, profesor në Universitetin Aristoteli të Selanikut, i cili ka rrëfyer për diskutimet personale që ka pasur mbi jetën e këtij shenjti të madh.

Shën Gerasimos lindi më 5 shtator 1905 në Dhrovjan të Delvinës. Që fëmijë tregoi zgjuarsi dhe përkushtim. Edukimin e tij e nisi në shkollën vendase, e cila në atë kohë shquhej për nivelin e lartë të mësimdhënies. Në rini, ai u largua për në Greqi, ku i ati punonte në Pire. Largimi nga nëna dhe vëllai i vogël la gjurmë të thella emocionale, veçanërisht tek nëna e tij Athina, e cila jetoi me mall për të birin që nuk e pa më kurrë.

Në Greqi, ai përfundoi gjimnazin dhe më vonë ndoqi një shkollë të lartë, duke treguar interes të thellë për letërsinë dhe jetën shpirtërore. Frekuentonte rregullisht kishat e Athinës dhe kishte rastin të dëgjonte edhe figura të mëdha kishtare të asaj kohe, si Shën Nektari nga Egina. Që në këtë periudhë nisi të kultivohej tek ai thirrja për jetën monastike.

Në vitin 1923, ai mori rrugën për në Malin e Shenjtë Athos, ku u vendos në Skitin e Shën Anës. Atje përjetoi një ndriçim të jashtëzakonshëm shpirtëror dhe gjeti qetësinë që kërkonte. I përkushtuar në shërbesa dhe në leximin e teksteve të shenjta, ai u bë një shembull i përulësisë dhe virtytit. Me kalimin e viteve, ai mësoi edhe artin e gdhendjes së vulave prej druri për liturgjitë, por pasioni i tij i madh ishte letërsia dhe shkrimi.

Veçanërisht i njohur u bë për krijimin e himneve liturgjike. Shën Gerasimos konsiderohet si himnografi më i rëndësishëm i periudhës pas-bizantine. Vepra e tij, edhe pse vetëm pjesërisht e botuar, është shpërndarë gjerësisht nëpër qelitë e Malit të Shenjtë dhe në rrjete online. Ai vetë e përshkruante himnografinë si një mënyrë të thellë dhe të mistershme të bashkimit me Zotin.

Veprat e tij himnografike u përfshinë menjëherë në përdorimin liturgjik dhe morën vlerësim të lartë nga Kisha Ortodokse. Në vitin 1955, Patriarkana Ekumenike e nderoi me titullin “Himnograf i Kishës së Madhe të Krishtit”, ndërsa më vonë u dekorua edhe me medalje nga Shteti Grek dhe Akademia e Athinës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Në fund të jetës, ndonëse i moshuar, vazhdoi të shkruante dhe të jetonte me përkushtim. Letra e tij e fundit ishte dërguar më 30 nëntor 1991, vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë, më 7 dhjetor të atij viti, në moshën 86-vjeçare. Ai u varros në një zonë të izoluar të Malit të Shenjtë, pranë shpellës së Shën Dionisit dhe Metrofanit.

Vendimi i Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike, më 10 janar 2023, e shpalli zyrtarisht si Shenjtor të Kishës Ortodokse. Ky është një nder jo vetëm për ortodoksinë, por edhe për trashëgiminë shqiptare, që përmes Shën Gerasimosit, dëshmon për potencialin shpirtëror dhe kulturor të vendit.

Sot, banesa e tij në Dhrovjan qëndron e heshtur dhe pothuaj e harruar, por banorët vendas duan ta kthejnë atë në një vend pelegrinazhi. “Një kishë me emrin e tij do të ishte nder dhe një nxitje për turizmin shpirtëror,” – thotë Vasil Kalivas. Ndërkohë, 90-vjeçarja Klio Dhroso shton: “Ne jemi krenarë që një shenjtor ka lindur në fshatin tonë. Jeta e tij është frymëzim për të gjithë.”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit