
Një kompani britanike synon të krijojë baza të përhershme nën ujë deri në vitin 2027 për të testuar kufijtë e jetesës njerëzore në fund të detit
Përpjekja për të gjetur mënyra alternative jetese jashtë Tokës ka marrë hov në vitet e fundit, sidomos përballë ndryshimeve klimatike dhe dëshirës për eksplorime të reja. Por ndërsa kolonitë në Hënë apo Mars tërheqin vëmendjen e mediave, një tjetër hapësirë, shumë më pranë nesh por po aq e vështirë për t’u jetuar, po përflitet gjithnjë e më shumë: fundi i oqeanit.
Nuk është hera e parë që kjo ide merr jetë. Që në vitet 1960, studiuesi francez Jacques Cousteau ndërtoi habitatet e para nënujore, ku njerëzit qëndruan për periudha të shkurtra kohore.
Që nga viti 2001, NASA ka dërguar rregullisht studiues dhe astronautë në bazën kërkimore nënujore Aquarius Reef pranë Floridës, e cila ndodhet rreth 20 metra nën sipërfaqe. Ata qëndrojnë atje nga një deri në dy javë, duke bërë kërkime dhe testime për jetesën në ambiente ekstreme.
Teknologjia e re po e bën të mundur që qëndrimet nën ujë të zgjasin më shumë. Kompania britanike Deep ka ndërmarrë një projekt ambicioz për të zhvilluar habitatet e para të përhershme për jetesë nënujore. Por sfida më e madhe nuk është teknologjia – është vetë njeriu.
Trupi i njeriut është i ndjeshëm ndaj mungesës së oksigjenit, dritës së diellit dhe ndryshimeve të presionit. Megjithatë, përvoja në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor tregon se njerëzit janë të aftë të përshtaten me kushte ekstreme për periudha të gjata.
Rekordi më i gjatë i qëndrimit në hapësirë i përket kozmonautit Valeri Polyakov, i cili kaloi 437 ditë në stacionin rus Mir. Por qëndrime të tilla nuk janë pa pasoja: kthimi në Tokë shoqërohet shpesh me humbje të dendësisë kockore dhe dobësim të muskujve.
Në anën tjetër, përvoja e jetesës nënujore është ende në fazë testimi. Inxhinieri gjerman Rudiger Koch kaloi 120 ditë në një kapsulë të vendosur 11 metra nën det në Karaibe midis viteve 2024 dhe 2025, duke vendosur një rekord botëror. Ai doli pa probleme shëndetësore.
Profesor Joseph Dituri është një tjetër rast i njohur. Ai qëndroi për 100 ditë në një habitat nënujor në Florida, në një thellësi prej 9 metrash. Gjatë kësaj kohe, ai kreu testime të përditshme mbi veten dhe vuri re përmirësime të dukshme në shëndet, përfshirë gjumin, kolesterolin dhe nivelin e inflamacionit.
Madje, mosha e tij biologjike rezultoi 10 vjet më e re se ajo kronologjike, edhe pse humbi rreth 1 centimetër në gjatësi për shkak të presionit të lartë brenda ambientit të mbyllur.
Në këtë sfond, kompania Deep po zhvillon dy module të reja jetese. E para quhet Vanguard, një kapsulë e vogël për tre persona që do të përdoret për qëndrime të shkurtra. E dyta është Sentinel, një kapsulë 16 metra e gjatë e aftë të strehojë studiues për 28 ditë në thellësi deri në 200 metra.
Qëllimi është të lehtësohet puna kërkimore dhe të kuptohet më mirë ndikimi i jetesës nënujore në trupin dhe mendjen e njeriut. Por sfidat nuk mungojnë.
Sipas Dr. Dawn Kernagis, drejtoreshë e kërkimeve shkencore në Deep, “Rreziku më i madh për zhytësit është zbritja dhe ngjitja në sipërfaqe, për shkak të ndryshimeve të presionit dhe rrezikut për sëmundjen e dekompresionit.”
Për të shmangur këtë rrezik, kompania synon që banorët e Sentinel të qëndrojnë në gjendje të ngopur me gazra, duke arritur një ekuilibër të ri me presionin nënujor. Kjo u mundëson qëndrime shumë më të gjata, nga disa orë deri në një muaj.
Studiuesit që do të marrin pjesë do të monitorohen vazhdimisht për të vlerësuar efektet afatgjata të jetesës në thellësi të detit – si fizike ashtu edhe psikologjike. Qëndrime të tilla do të përgatisin terrenin për eksperimente më të gjata, ndoshta edhe për vite.
Në një të ardhme jo shumë të largët, jeta nën ujë mund të mos jetë më një fantazi shkencore, por realitet. Dhe ndoshta, një “Atlantidë” moderne do të jetë shtëpia e re e njerëzimit.