
Para disa ditësh, JOQ Albania bëri publike shqetësimin e një sërë prindërve nga Lezha të cilët denonconin abuzimin sistematik të shkollës private emrin “Lezha Academic Center” e Klementina Shahini, një shkollë me frymë amerikane në teori, por që në praktikë tregonte të kundërtën.
Sipas prindërve kjo shkollë private u kishte marrë pagesën e plotë për muajin qershor edhe pse mësimi mbyllet më 13, ndërsa ka pushuar kuzhinieren për të shmangur pagat. Ushqimi nuk lejohet nga shtëpia dhe fëmijëve u ofrohen produkte të jashtme si hamburger e molto me çmime të larta. Më skandalozja është mungesa e ujit, ku nëse një fëmijë harron ta marrë nga shtëpia, mbetet pa pirë deri në orën 14:00. Prindërit denoncojnë gjithashtu mungesën totale të transparencës në komunikim.
Prindërit theksuan në denoncim se orari i mësimit ndryshon pa paralajmërim, shpesh njoftohet natën vonë, dhe çdo vendim merret vetëm nga drejtoresha, pa asnjë diskutim me prindërit. Mësuesit nuk flasin, çdo gjë kalon nga drejtuesja e cila, sipas tyre, sillet me arrogancë dhe shpërfillje. Festa kombëtare nuk njihen, si të jetonin në një sistem tjetër arsimor, ku vetëm një njeri vendos për gjithçka.
Sipas prindërve tarifat ndryshojnë çdo vit pa asnjë logjikë dhe pranohen vetëm në dollarë, ndonëse bëhet fjalë për një shkollë në Shqipëri. Uniformat blihen vetëm aty ku urdhëron drejtoresha, librat paguhen veç dhe për çdo fëmijë që qëndron pasdite deri në orën 17:00 duhet të paguhen 200 mijë lekë të vjetra, edhe pse zyrtarisht kjo pagesë prezantohet si fakultative. Por në realitet, nëse nuk paguhet, fëmijët nuk pranohen në ambientet e studimit.
Dhe pas publikimit të këtij rasti, ka reaguar drejtoria vendore e policisë Lezhë e cila bën me dije se ka nisur procedimi penal i drejtoreshës së shkollës “Lezha Academic Center” e Klementina Shahini, pasi e drejtonte shkollën pa licencë për arsimin 9-vjeçar, teksa bënte punësime sezonale të stafit pedagogjik, me periudha 3-4 mujore dhe nuk u deklaronte pagën për të shmangur detyrimet tatimore.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen K. Sh.,66 vjeçe, banuese në Lezhë, pasi drejton një shkollë private dhe nga verifikimet rezultoi se nuk ka liçensë për arsimin 9-vjeçar. Gjithashtu, dyshohet se 66-vjeçarja bënte punësime sezonale të stafit pedagogjik, me periudha 3-4 mujore dhe nuk i deklaron si punësime të ligjshme duke shmangur detyrimet tatimore”, bën me dije drejtoria vendore e policisë Lezhë.