Jorgo Goro u arrestua për tokën ku burri i Olta Xhaçkës është investitor strategjik

Jorgo Goro u arrestua për tokën ku…

Jorgo Goro kryetari i bashkisë Himarë u arrestua një ditë më parë për tokën ku Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së jashtme Olta Xhaçka do të ndërtojë një kompleks turistik.

Sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të kadastrës, kanë falsifikuar dokumentat për të kaluar një sipërfaqe toke shtet në Himarë, në favor të privatëve dhe konkretisht të kompanisë së Artan Gaçit. Ky i fundit u shpall nga qeveria investitor strategjik në vitin 2022 për një periudhë 30-vjeçare, duke i dhënë leje për ndërtimin e një kompleksi turistik në fshatin Gjilekë, gjithashtu përdorimin e detit dhe plazhit përballë kompleksit.

SPAK e akuzon Goron për ‘Shëpërdorim detyre’ në dy episode të ndryshme. Kjo pasi përfaqësuesi i socialistëve ka bashkëpunuar me persona të tjerë për të kthyer sipërfaqe të konsiderushme të tokës shtet, në favor të privatëve. Sipërfaqja e tokës për të cilën kryebashkiaku i Himarës ka ndërhyrë për ta privatizuar është e ndarë në dy pjesë, që në total përllogaritet 5 512 metër2.

Goro në këtë mënyrë bëhet zyrtari i radhës i socialistëve që ‘u bashkohet kolegëve’ në qeli, për abuzim me pushtetin. Arrestimi i tij erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, kryetar i zgjedhur i Himarës nga zgjedhjet e 14 Majit 2023, por i arrestuar dy ditë para kësaj date për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje’ dhe i dënuar me dy vite burg. Beleri në kallëzimin e tij e akuzoi kundërshtarin politik për tjetërsim të pronave në favor të privatit.

Përveç arrestimit të Goros, në arrest shtëpie përfunduan dhe 4 zyrtarë të tjerë që akuzohen për ‘Shpërdorim detyre’!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit