“Ju mund të zbusni një luan por jo Ibrën”, suedezi i thotë të gjitha: Nga ideja për t’u tërhequr deri te rikthimi te kombëtarja

“Ju mund të zbusni një luan por…

Sulmuesi suedez ka dhënë një intervistë këtë të martë për “Champions Journal”, ku ka folur për formën e tij të mirë, rikthimin në kombëtare, si dhe për dëmtimin e fortë që kaloi kur luante me Manchester United, që e shtyu te mendimi për t’u tërhequr.

“Unë kam një problem, kurrë nuk jam i kënaqur. Jam 39 vjeç, me atë që kam arritur mund të mos punoja dhe të kisha një jetë të shkëlqyeshme, tani e tutje, por unë gjithmonë e kam këtë pasion të madh për atë që bëj. Unë gjithmonë dua më shumë”, shprehet Ibra.

Ibra i zakonshëm është i pangopur. Uria është ajo që e lëviz kampionin dhe e bën atë të shkojë përtej kufijve, fizikë dhe personalë. “Unë nuk shoh shumë lojtarë, që bëjnë atë që bëj unë. Pas moshës 30 vjeç zakonisht fillon faza e dobësimit për një lojtar dhe arrin pastaj lamtumira. Unë pas moshës 30 vjeç u bëra edhe më i fortë”.

Përherë Zlatan është i drejtpërdrejtë dhe i efektshëm, prek gjithmonë akordet e duhura. Më lehtë për të zbutur një luan apo Ibran? “Ju mund ta zbutni një luan, por nuk mund ta zbutni Zlatan. Ai është një kafshë tjetër”.

Gjithsesi, sulmuesi i Milanit nuk i harron vështirësitë që ka përjetuar, ndër të gjitha, dëmtimin e rëndë të kryçialit kur ishte te Manchester United, i cili mund t’i kishte dhënë fund karrierës së tij. “M’u desh një vit për t’u ndjerë gjallë. Të jem i sinqertë, puna që kam bërë ka qenë e mërzitshme, ishte një punë mendore, me të cilën nuk isha mësuar”.

Një periudhë e vështirë, në të cilën edhe Ibra i guximshëm, kishte dyshime: “Mendoja shpesh se ishte koha për t’i dhënë fund karrierës time, – thotë ai. – Por për fat të mirë unë kisha njerëz përreth meje që më inkurajuan të vazhdoja dhe të mos bëhesha dembel. Duhet ta bësh, duhet ta bësh”,- më thanë vazhdimisht.

Historia e Ibrahimoviçit kishte një fund të lumtur. Por në të vërtetë ende nuk ka fund, ka ende vend për kthesa: “Unë i bëra ato dhe tani ndihem i gjallë”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit