Duke e mbajtur përgjegjës për gabimet politike gjatë pandemisë, qindra italianë në Romë kanë kërkuar largimin e kryeministrit Xhuzepe Conte, ku sipas tyre, politikat e tij kanë dëmtuar ekonominë dhe vendet e punës.
Protestes dhe tifozë futbolli në Itali, kanë demonstruar kundër qeverisë duke kërkuar largimin e kryeministrit Xhuzepe Konte për mënyrën si ai e ka administruar pandeminë e koronavirusit në vend.
Me maskat mbrojtëse në fytyrë, pjesëmarrësit denoncuan dëmet në ekonomi dhe në vende pune si pasojë e krizës epidemike dhe reagimit politik.
“Jemi këtu për t’ia treguar botës se sot në Itali çdo kategori punëtorësh është dërrmuar dhe shkatërruar nga qeveria që në fakt nuk po vepron në interesat e italianëve. Kjo demonstratë nuk ka përkatësi politike, të gjithë këtu duan t’i rikthejnë Italisë ligjin dhe dinjitetin.”
Por protesta e së shtunës në kryeqytetin italian shumë shpejt përshkallëzoi në përplasje fizike. Konfrontimet e para nisën mes vetë demonstruesve.
Shkak u bë intervistimi nga gazetarët i një prej pjesëmarrësve, që sipas tubuesve nuk i ishte autorizuar për të folur si çdo pjesëmarrës tjetër.
Shkëmbimet e fjalëve u lanë vendin përdorimit të shisheve dhe gurëve ndaj forcave që po ruanin rendin. E kapur në befasi policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.
Përpos ultrasve italianë raportohet se në protestë u bashkuan edhe militantë të ekstremit të djathtë. Përplasjet u shuan brenda pak minutave ndërsa disa persona u shoqëruan në lidhje me ngjarjen.
Italia ka hyrë në fazën e fundit të lehtësimit të masave shtrënguese kundër pandemisë, duke lejuar këtë javë udhëtimet midis rajoneve italiane dhe duke rihapur kufijtë e vet ndërkombëtarë.