Një situatë tejet alarmante është ngritur nga rreth 100 familje në një zonë pranë Peshkopisë, të cilat furnizohen me energji elektrike përmes një rrjeti tejet të amortizuar dhe jashtë çdo standardi sigurie. Në videon e denoncimit, gjendja e infrastrukturës elektrike paraqitet skandaloze dhe tepër e rrezikshme për jetën e komunitetit.
Kabllot dhe lidhjet elektrike shihen të zhveshura dhe të shpërndara në mënyrë të rrezikshme, duke u kthyer në një rrezik fatal, veçanërisht për fëmijët. Siç shprehet edhe vetë denoncuesi, nëse fëmijët e prekin këtë rrjet, pasojat mund të jenë tragjike për jetën e tyre.
Përveç rrezikut të përditshëm, banorët përballen edhe me mungesën e përgjegjësisë nga ana e strukturave dhe elektricistit lokal, i cili u ka kërkuar që riparimet t’i paguajnë vetë nga xhepi i tyre. Kjo sjellje ka ngjitur indinjatë të madhe, pasi banorët paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike që shkojnë deri në 30-40 euro në muaj.
Përmes këtij publikimi, banorët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve dhe bëjnë thirrje që kjo situatë të bëhet publike, në mënyrë që të merren masat e duhura para se të ndodhë ndonjë fatkeqësi.
Është e papranueshme që 100 familje të paguajnë rregullisht faturat e energjisë, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me OSHEE-në të mbyllin sytë dhe t’u kërkojnë banorëve t’i rregullojnë kabllot e zhveshura me lekët e xhepit.
Ndërhyrja duhet të bëhet sot e jo nesër, sepse kur të ndodhë tragjedia, do të jetë tepër vonë për deklarata e arsyetime.