Kadri Roshi dhe Vasillaq Vangjeli, historia e dy gjigantëve të kinematografisë shqiptare

Kadri Roshi dhe Vasillaq Vangjeli, historia e…

Kadri Roshi

Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.

Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai, e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri.

Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qënë një aktor brilant dhe me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Pikturë nga Kushtrim Dacaj

Vasillaq Vangjeli

Vasillaq Vangjeli është aktor shqiptar, kryesisht komik, i lindur në 19 shkurt 1948, vdiq më 26 shtator 2011 pasi vuante nga diabeti. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.

Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër.

Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.

Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vangjeli ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta e sidomos në fushën e humorit e të skenës.

Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Është një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë di ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën.

Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin. Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte.

Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan.

Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit.

Estrada nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje. Bënte mungesa në punë, role pa cilësi. Por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet, paroditë sa nuk shpjegohet dot më.

Më pas Estrada u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike, u bë vendi ku realizoi ëndrrën aktoreske. Vlerat i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak. Të freskët e cilësor e plot shaka.

I kalojnë të 100 role të krijuara në estradë, teatër, kinematografi, etj. Të gjithë i kujtojnë : dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, ose rolin e Lolos, një lolo tragjik-komik me nuanca tepër fine të interpretimit.

Të shumtë janë rolet në Estradë si : tek komedia e Vodvil “Mirelo”, Xhixh, “Pa martuar 50-vjeçar” apo të kujtojmë skeçet e paroditë. Tani është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Komedi e bukur, rol i bukur. Regjia është e Hervin Çulit. Më pas ka regjinë e një varjeteje, a një tjetër ftesë në Teatrin Kombëtar, e pastaj një tjetër ftesë…

Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni. Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës. Shtëpinë e tij e ka kthyer në lokal ku argëton të tjerët, por argëtohet edhe vetë. I shkojnë vazhdimisht miq e shokë, kolegë. Edhe aty humorin nuk e lë, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “pjesë e profesionit”- thotë. E kështu jeta e Vasillaqit do të vazhdojë dhe ai përsëri do të bëjë humorin e tij në vorbullën e ekonomisë së tregut./Burimi: Naishtedikur.info/E. Troplini/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit