Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në portin e Ankonës, në Itali, ku një 35-vjeçar shqiptar është dërguar me urgjencë në spitalin e Torrette-s, pasi u pickua nga një grerëz brenda gojës.
Gjithçka ndodhi teksa i riu ishte ndalur në një lokal pranë portit për të ngrënë mëngjes. Ai kishte porositur një ëmbëlsirë me krem, por pa e vënë re, mbi të ishte vendosur një grerëz.
Pa e kuptuar praninë e insektit, 35-vjeçari kafshoi ëmbëlsirën. Në atë moment, ai ndjeu dhimbje të forta në gojë dhe, duke mos kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhur, kërkoi me dëshpërim ndihmë.
Më pas u konstatua se grerëza e kishte pickuar brenda zgavrës së gojës.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e Kryqit të Verdhë (Croce Gialla), së bashku me autoambulancën me mjek.
Pas ndihmës së parë, 35-vjeçari u transportua në spitalin e Torrette-s, me kod urgjence të shkallës së mesme.
Në spital atij iu administrua një trajtim medikamentoz për të parandaluar shfaqjen e shokut anafilaktik, një reaksion alergjik i rëndë që mund të rrezikojë jetën.