Kalaja e Krujës thërret për ndihmë, dëmet e tërmetit lihen në harresë

Kalaja e Krujës thërret për ndihmë, dëmet…

Kalaja e Krujës, foleja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe pema më e thellë e rrënjëve tona kombëtare, sot po lëngon nën peshën e harresës. Kjo fortesë që për shekuj me radhë mbrojti jo vetëm arbërorët, sot po mposhtet nga neglizhenca shtetërore. Vite pas tërmetit shkatërrimtar që tronditi vendin, simboli ynë më i madh i krenarisë dhe qëndresës vazhdon të mbetet pre e pafuqisë administrative dhe braktisjes. Është e paimagjinueshme se si vatra e Kryeheroit tonë Kombëtar lihet në këtë gjendje mjerane, ndërsa institucionet mjaftohen vetëm me vëzhgime pasive dhe spektakle mediatike.

Në krye të dikasterit që ka për detyrë ligjore dhe morale mbrojtjen e kësaj pasurie të shenjtë, ministri Blendi Gonxhe po dëshmon çdo ditë e më shumë se prioriteti i tij mbetet propaganda dhe fasada. Ndërsa muret historike të Krujës, ku Skënderbeu shkroi faqet më të lavdishme të historisë sonë, rrezikojnë shembjen nga pasojat e tërmetit dhe kalimi i kohës, Ministria mjaftohet me deklarata vizionare, projekte në letër dhe prani në rrjete sociale.

Ministri Gonxhe duhet ta kuptojë se detyra e tij nuk është menaxhimi i festivaleve apo i aktiviteve të radhës, por ruajtja e trashëgimisë që na bën komb. Nëse sot nuk ndërhyhet me urgjencë, nesër do të jetë tepër vonë, dhe përgjegjësia direkte për çdo gur të rënë nga ajo kala do të mbajë vulën e Gonxhes. Historia po thërret për ndihmë dhe është koha që Ministria të zgjohet e të veprojë.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit