Kaloi semaforin me të kuqe, shoferi, shkaku i përplasjes së tre fëmijëve me monopatinë në zemër të Tiranës

Kaloi semaforin me të kuqe, shoferi, shkaku…

Shoferi injoroi rregullat e qarkullimit dhe përplasi tre fëmijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kalonin në vijat e bardha

Ngjarja tronditëse u regjistrua mesditën e sotme në Tiranë, ku tre fëmijë u përplasën nga një makinë ndërsa po kalonin rrugën me monopatina. Aksidenti ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.

Fëmijët, të moshës nga 9 deri në 11 vjeç, po lëviznin në mënyrë të rregullt mbi vijat e bardha, në kohën kur një automjet tip Renault Clio i goditi me shpejtësi. Dy prej të miturve ndodheshin mbi të njëjtën monopatinë, ndërsa tjetri lëvizte në një tjetër. Sipas dëshmive, makina po lëvizte në korsinë e gabuar, të dedikuar për taksitë dhe dyshohet se ishte me shpejtësi të lartë.

Burimet nga vendngjarja theksuan se kalimi me semafor të kuq nga ana e shoferit ka qenë një ndër shkeljet më flagrante të rregullave të qarkullimit. Ndërkohë, dëshmitarë në vendin e ngjarjes treguan se drejtuesi i mjetit nuk u përpoq të ndihmonte fëmijët pas përplasjes.

Për më tepër, sipas të njëjtave burime, shoferi nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ikur nga vendi i ngjarjes, por as nuk ka ofruar ndihmë, duke qëndruar në mënyrë të ftohtë dhe të pandjeshme përballë tre të miturve të lënduar.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht për shkak të moshës së vogël të fëmijëve dhe papërgjegjshmërisë flagrante të drejtuesit të automjetit. Në një zonë ku siguria rrugore duhet të jetë maksimale, veprime të tilla mbeten të papranueshme.

Ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes, qytetarët kërkojnë masa më të ashpra për shkelësit e rregullave të qarkullimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për pasoja kaq të rënda.

Fëmijët e plagosur u transportuan menjëherë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme. Gjendja e tyre shëndetësore mbetet nën vëzhgim.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit