Ngushëllim Manzi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve Selam dhe Nazmi Islamaj, si dhe plagosjen e Shefqet Islamajt në Kamëz, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen e rëndë, duke treguar para Policisë se si nisi konflikti që përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas dëshmisë së tij, përplasja mes palëve ka nisur pas një debati për kalimin e një betoniereje, ndërsa tre vëllezërit Islamaj po kryenin punime për ndërtimin e një muri.
Manzi ka pretenduar se në zonë kishte dy rrugë dhe se familjarët e tij u kishin kërkuar vëllezërve Islamaj të kalonin betonieren nga rruga tjetër, pasi manovrat e mjetit shkaktonin zhurmë. Sipas versionit të të dyshuarit, kërkesa nuk është pranuar nga tre vëllezërit, të cilët, siç ka deklaruar ai, janë përgjigjur në mënyrë të ashpër.
Në dëshminë e tij, Manzi ka pretenduar gjithashtu se Shefqet Islamaj kishte shtyrë dhe goditur prindërit e tij. Ai ka deklaruar se, pasi u informua për këtë, u zemërua dhe goditi Shefqet Islamajn.
Më tej, sipas versionit të dhënë prej tij, në konflikt u përfshinë edhe dy vëllezërit e tjerë, Selam dhe Nazmi Islamaj. Manzi pretendon se përshkallëzimi i përplasjes e çoi atë drejt përdorimit të armës së zjarrit, ngjarje që përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve dhe plagosjen e të tretit.
Dëshmia e të dyshuarit përshkruan versionin e tij mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa pretendimet e bëra prej tij mbeten për t’u verifikuar nga hetimet.
“Vëllezërit kanë qenë duke kryer punime dhe betoniera vinte para shtëpisë tonë. Ne i kërkuam ta kalonin te një rruge alternative se duhet të bënte shumë manovra. Ata nuk pranuan dhe na u kthyen keq. Shefqet Islamajn kishte shtyrë dhe goditur prindërit e mi. Kur e mora vesh këtë u nxeha, dhe e godita.
Pastaj erdhën dy vëllezërit e tij, Nazmi dhe Selam Islamaj. Sherri degradoi dhe unë i qëllova me pistoletë, të cilën e kisha në shtëpi”, tha mes të tjerash autori Manzi.