Ervis Çela, i konsideruar nga hetimet si një prej drejtuesve të organizatës kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt porteve të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Franc Çopjan, kishte një pasion të veçantë për avionët privatë. Një pasion që, sipas dosjes hetimore, lidhej edhe me aktivitetin e tij kriminal dhe transportin e drogës në territorin e Amerikës Latine.
Në dosjen e SPAK janë zbardhur komunikime të Çelës me vëllain e tij, Albin Çela, si dhe me Franc Çopjan, ku ai flet hapur për blerjen e avionëve privatë.
Më 23 janar 2021, Ervis Çela i dërgon vëllait të tij fotografinë e një avioni privat dhe i shkruan: “…më pyt dhe njëherë tjetër e ke ble aavionin. Hahahaha… kam ble dy… një të vogël një të modh. Kam ble dhe kshtu Jet privat”.
Pak ditë më vonë, më 2 shkurt 2021, Çela komunikon edhe me Franc Çopjan, të cilit i dërgon një fotografi dhe i shkruan: “…e mora këtë… 1.4M”. Përgjigjja e Çopjas është e shkurtër: “qenka i bukur shumë”.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Ervis Çela kishte bazën në Paraguai dhe përdorte avionë privatë për të transportuar vetë kokainën brenda territorit të Amerikës Latine.
SPAK dyshon se organizata kriminale e drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja ka trafikuar rreth 60 tonë kokainë në periudhën dhjetor 2019 – mars 2021, duke ndërtuar një rrjet ndërkombëtar të furnizimit me drogë nga Amerika Latine drejt Evropës.